Dhuna ndaj Egnatias në Pukë, ja si reagon Sindikata e Futbollistëve

schedule16:26 - 19 Korrik, 2020

schedule 16:26 - 19 Korrik, 2020

Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë (SFPSH), ka reaguar në lidhje me dhunën u shtruar kundër skuadrës së Egantias në stadiumin e Pukës. Barazimi 1-1 u prit keq nga Tërbuni vendas dhe goditjet me grusht ndaj miqve nuk munguan.

Të nderuar miq! Që futbolli shqiptar është në një krizë identiteti ky është një fakt që të gjithë e dimë, por pakkush e thotë me zë të lartë. Edhe kur ne flasim, përsëri është dikush që do të na kundërvihet duke u bërë avokat i padrejtësisë. Ajo që ndodhi dje në Pukë ishte jo vetëm e turpshme, por edhe e dënueshme penalisht.

Kemi kërkuar me kohë që të miratohen nismat ligjore për privatizimin e klubeve të futbollit në pronësi të bashkive. Vetëm në këtë mënyrë do të shmangim dhunën që vjen nga përfaqësuesit e politikës.

Nisur nga ngjarjet e djeshme i bëjmë thirrje Policisë së Shtetit që menjëherë të nisë hetimet për të vënë para përgjegjësisë penale të gjithë personat përgjegjës, qofshin përfaqësues të bashkisë, klubit të sportit, policisë private, apo kushdo tjetër i përfshirë në ushtrimin e dhunës ndaj futbollistëve dhe stafit teknik të Egnatias.

Gjithashtu, një thirrje të fortë i bëjmë futbollistëve që të mos bëhen pjesë e dhunës dhe të kërkojnë marrjen e rezultatit sportiv me dhunë. Duhet të mendoni se ata që ju dhunoni sot, nesër do të jenë shokët tuaj te skuadrës. Futbolli, i cili është pasioni ynë, është spektakli që duhet të na bashkojë me njëri-tjetrin. Ndërsa dhuna nuk duhet të jetë në ADN-n tonë.

Nisur nga këto ngjarje të renda ku po vihet në rrezik jeta e futbollistëve, Sindikata i kërkon FSHF-së dhe Policisë së Shtetit që nga edicioni i ardhshëm futbollistik rendi në stadiume të ruhet nga policia e shtetit.

Po për ne, Sindikatën e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë, kambanë alarmi është shkaku për të cilën u dhunuan futbollistët e Egnatias. Ata u akuzuan dhe u dhunuan se po luanin për Dinamon. Ky fakt i dhimbshëm, por dhe disa dhjetëra përpara tij, tregojnë se futbolli shqiptar e ka humbur besimin tek gara e ndershme.

Janë drejtuesit e klubeve ata që besojnë dhe trajnerët ata që akuzojnë në këtë fund kampionati se rezultati sportiv nuk vjen nga fusha e lojës, por nga tavolinat e lokaleve ku fatet sportive të klubeve te futbollit ndryshojnë si gotat e verës.

Që futbollistëve , klubeve të futbollit, presidentëve, zyrtarëve të FSHF si dhe tifozëve t’ju kthehet futbolli i vërtetë, duhet që jo vetëm protagonistët e kësaj ngjarje të dënohen në mënyrë shembullore pasi kanë rrezikuar jetën e futbollistëve, por në mënyrë shembullore të dënohet çdo person që me subjektivizmin e tij ka devijuar rezultatet e garës“, shkruan SFPSH. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!