Një nga bashkautorët e Monumentit të Pavarësisë, skulptori i njohur Mumtaz Dhrami, është rikthyer në Vlorë më 28 Nëntor, pikërisht në ditën kur qyteti feston 114-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Mes emocionesh, ai është ndalur pranë veprës monumentale në të cilën ka lënë gjurmën e tij artistike, duke kujtuar edhe një herë historinë e krijimit të saj.
Në një rrëfim të tij Dhrami sjell në vëmendje periudhën kur, së bashku me dy bashkautorët e tij, punuan për realizimin e kësaj vepre me rëndësi të veçantë për historinë dhe identitetin kombëtar. Ai ndan emocionet e rikthimit në Vlorë dhe të qëndrimit përpara monumentit, dekada pas inaugurimit të tij.
Skulptori kujton gjithashtu momente të veçanta nga procesi i krijimit të monumentit, kohën që kërkuan punimet, vështirësitë dhe mënyrën se si u realizua kjo vepër monumentale, e cila sot qëndron në zemër të Sheshit të Flamurit dhe është kthyer në një prej simboleve më të rëndësishme të qytetit të Vlorës, ndërsa tregon edhe sa i mungojnë bashkautorët.
Por krahas kujtimeve dhe emocioneve, Mumtaz Dhrami shpreh edhe një peng lidhur me mënyrën se si paraqitet sot monumenti. Sipas tij, shkallaret e vendosura ndër vite kanë ndryshuar identitetin e veprës. Ai mendon se monumenti duhet të ngrihet nga toka dhe të ruajë konceptin e tij fillestar, ashtu siç ishte projektuar dhe realizuar në fillim.
Në këtë ditë simbolike, Dhrami ka edhe një mesazh për brezin e ri, duke u bërë apel të rinjve të duan vendin, kombin dhe flamurin. Ai thekson se Monumenti i Pavarësisë është një vepër që i përket të gjithë shqiptarëve dhe vlerësimi për të duhet të jetë mbi çdo emër apo autorësi, pasi rëndësia e tij qëndron te simbolika dhe historia që përfaqëson.
Dhrami flet edhe për kryeministrin Rama, sot kryeministrin e vendit, birin e autorit tjetër Kristaq Rama.
Monumenti i Pavarësisë u inaugurua më 28 nëntor të vitit 1972, në 60-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Vepra është realizuar në bashkautorësi nga Kristaq Rama, Mumtaz Dhrami dhe Shaban Hadëri. I derdhur në bronz dhe me një lartësi prej rreth 17 metrash, monumenti mbetet një nga simbolet më të rëndësishme historike dhe kombëtare, që përjetëson aktin e Pavarësisë së Shqipërisë.


