Numrin më të madh të kandidatëve që kanë probleme me ligjin e mban Lëvizja Vetëvendosje. Ky është konkluzioni i Institutit të Kosovës për Drejtësi, i cili ka publikuar një raport lidhur me pastërtinë e listave të partive politike.
“Nga këta 902 kandidatë rezulton se 25 prej tyre janë të përfshirë në raste penale. Shprehur në përqindje, i bie që 2.77 për qind e totalit të listës së kandidatëve janë persona që kanë dënime të formës së prerë ose aktakuza aktive. 15 prej tyre janë me aktakuza aktive, ndërkaq 13 të tjerë janë persona që në të kaluarën kanë pasur dënime penale. Janë evidentuar edhe tre kandidatë që, përveç aktakuzës aktive, kanë edhe dënime penale. Sa i përket subjekteve politike, numrin më të madh të kandidatëve që kanë probleme me ligjin e mban Lëvizja Vetëvendosje, me gjithsej 13 kandidatë.”, ka thënë studiuesi Gëzim Shala.
Shoqëria civile bën thirrje që këta persona të mos jenë pjesë e listave zgjedhore.
“IKD vlerëson se personat që janë të përfshirë në raste penale, edhe në rastet kur nuk ekzistojnë kufizime ligjore, me qëllim të ruajtjes së integritetit dhe parimeve të qeverisjes së mirë, nuk duhet të jenë pjesë e listave zgjedhore dhe as bartës të tyre.”, ka thënë Shqiponjë Gashi, studiuese e Institutit të Kosovës për Drejtësi.
21 subjektet politike në Kosovë janë në ditën e dytë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.
Nga tubimet hapëse, LVV premtoi investime miliardëshe, si dhe investime në prodhimtari dhe mbrojtje. LDK, përmes kandidatit për kryeministër Lumir Abdixhiku, deklaroi se partia e tij është e bashkuar dhe e gatshme për sfidat politike që e presin vendin, ndërsa kritikoi qeverisjen aktuale, duke ironizuar edhe ndarjen e 100 eurove për qytetarët nga kryeministri në detyrë.
PDK premtoi ulje të çmimeve, rritje të pagave dhe pensioneve, si dhe investime në ekonomi, energji dhe shëndetësi, ndërsa Aleanca doli para votuesve me kryetarin e ri të partisë, Ardian Gjini.
Votimet e 7 qershorit janë të tretat kombëtare që mbahen në vend brenda 16 muajsh.
/abcnews.al/


