Shërbimi Meterologjik njofton se, edhe nesër vendi ynë do të ndikohet nga masa ajrore të qëndrueshme dhe të thata me origjinë veriore, ndërsa dita pritet të jetë e ftohtë me temperaturat e mëngjesit të cilat do zbresin nën 0ºC.
Në relievet malore temperaturat minimale pritet të arrijnë deri në -5ºC, në ato të ulta -3ºC, ndërsa në ato bregdetare 0ºC.
Edhe temperaturat e mesditës pritet të jenë të ftohta me vlera deri në 4ºC në relievet malore, kurse në zonat e ulta dhe ato bregdetare nuk do t’i kalojnë vlerat prej 11ºC.
Moti do të jetë i kthjellët në të gjithë territorin duke përjashtuar vranësirat mesatare në relievet malore në lindje të vendit. Temperaturat e ulta do të ndikohen edhe nga era e cila do të jetë relativisht intensive me shpejtësi mesatare 5-8m/s dhe në drejtim nga veriu.
Përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore, era do të arrijë shpejtësinë 15-25m/s.
Në ditët në vijim pritet që temperaturat të vijojnë të zbresin duke bërë që mëngjeset të jenë të acarta dhe mesdita e ftohtë me temperatura të cilat priten të arrijnë deri në -8ºC në zonat malore, ndërsa ato të mesditës nuk do ti kalojnë vlerat prej 8-10ºC./abcnews.al