Devijimi i Lumit Ibër/Avokati: Rrjedhja është normale, plani i Serbisë i panevojshëm! Palët të ulen në tryezën e dialogut

schedule17:39 - 6 Dhjetor, 2024

schedule 17:39 - 6 Dhjetor, 2024

KOSOVË- Pavarësisht se teknikisht është i mundur, ndryshimi i kahut të lumit Ibër nga Serbia në dëm të Kosovës do të shkaktonte shkelje të ligjit dhe konventave ndërkombëtare.

Kështu e vlerësojnë ekspertët e fushës, të cilët thonë se një plan i tillë nuk duhet lejuar të marrë jetë. Megjithatë, sipas tyre, nevojiten garanci për sigurinë e kësaj rrjedhe.

Avokati Ardian Bajraktari në lidhje live me emisionin “Ballkan Update” në  ABC News, u shpreh se akti i shpërthimit të kanalit të ujit ishte shumë i rëndë dhe krijoi rrezik për shumë qytetarë.

Ai theksoi se plani për devijimin e rrjedhës së ujit është i panevojshëm dhe bie ndesh me zotimet që kanë marrë të dyja shtete në kuadër të procesit të dialogut.

Avokati tha se Serbia duhet të heqë dorë nga plane të tilla, të shikojë nga e ardhmja dhe të pranojë realitetin e pakthyeshëm, siç është pavarësia e Kosovës.

“Ngjarja e 29 dhjetorit ishte e rëndë dhe me pasoja të rënda për  një numër të konsiderueshëm të banorëve  të vendit. Sa i përket kësaj është panevojshme, sepse rrjedhja është normale, dhe shpresojmë që shteti serb të reflektojë dhe të shikojë nga e ardhmja”, tha ai.

Avokati shtoi se Kosova dhe Serbia duhet të ulen në tryezën e dialogut për t’u dhënë zgjidhje çështjeve të tilla, që mbajnë peng ardhmërinë e të dyja shteteve.

“Nuk ka nevojë për ta bërë një gjë të tillë. Ajo që duhet është që institucionet serbe nuk duhet të nxisin dhe të përkrahin këto akte, të cilat krijojnë probleme për qytetarët e vendit tonë. Veprime të tilla janë në kundërshtim më atë se çfarë palët kanë rënë dakord vendet në kuadër të dialogut. Vendet sa më parë të ulen në tryezën e diskutimeve, sepse vetëm kështu do ecim përpara”, theksoi ai/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!