“Detyrohemi t’i blejmë vetë të gjitha pajisjet!”, rrëfimet tronditëse të ushtarëve rusë që shkojnë të luftojnë Ukrainë

schedule09:41 - 23 Maj, 2022

schedule 09:41 - 23 Maj, 2022

The Moscow Times

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Ushtarëve rusë që përgatiten për të luftuar në Ukrainë, u kërkohet t’i blejnë pajisjet personale me paratë e tyre. Kjo është pohuar në kushte anonimiteti nga disa ushtarakë që folën për “Moscow Time”. Disa nga pajisjet që nuk ofrohen nga ushtria përfshijnë këpucët, parzmoren e trupit dhe fashot.

“Nëse ju japim një uniformë fushore, atëherë jeni me fat pasi mund të kurseni disa para. Por sërish jemi të detyruar të blejmë më paratë tona xhaketën dhe pantallonat, për të pasur të paktën mundësinë e ndërrimit…Do të jem i lumtur nëse shpenzimet vetjake për uniformat na kompensohen më vonë, dhe nuk na zbriten nga rroga”- thotë një punonjës me kontratë i Gardës Kombëtare Ruse (Rosgvardia).

Burrat e intervistuar nga “The Moscow Times”, thanë se u ishte premtuar një pagë mujore

prej rreth 200.000 rublash (3.365 dollarë) nëse nënshkruanin një kontratë për t’iu bashkuar trupave ruse që luftojnë aktualisht në Ukrainë, por do të duhej që t’i blinin vetë të gjitha pajisjet e tyre.

“Një jelek anti-plumb i Nivelit 4 – pra që mund të mbrojë fishekët e pistoletës dhe pushkës, si dhe nga ciflat e predhave – kushton mesatarisht 70.000 rubla (1.200 dollarë). Një helmetë kushton 10.000 rubla të tjera (160 dollarë). Një palë çizme të mira ushtarake, kushtojnë rreth 5000 rubla (80 dollarë), dhe çdo ushtari i duhen të paktën 2 palë të tilla.

Një jelek ushtarak kushton nga 5.000 në 10.000 rubla (80-160 dollarë). Po ashtu çdo ushtar duhet të blejë vetë një xhaketë, pantallona, bluza dhe pulovra. Këto kushtojnë rreth 200.000 rubla (3.365 dollarë)”- thotë ushtaraku i Rosgvardia.

Ndërkohë një ushtar rus në një njësi ushtarake pranë maleve Urale, u shpreh për “The Moscow Times” se gati asnjë pajisje nuk u ishte siguruar nga shteti për ata që shkojnë të luftojnë në Ukrainë. “Ne jemi të detyruar të blejmë gjithçka vetë, me paratë tona. Dhe këtu nuk po flas as për jelekët anti-plumb dhe helmetën. Nga vetë ushtria nuk ka jepen as rroba të ngrohta, as racione ushqimore apo mjete të ndihmës së parë. Të gjitha pajisjet me të cilat po luftojmë në Ukrainë janë të amortizuara. Armët jo rrallë na bllokohen”- thekson ai.

Dyqanet online që tregtojnë pajisje ushtarake, po vërejnë një kërkesë të shtuar për jelekë anti-plumb dhe helmeta, pohojnë menaxherët që folën sërish në kushte anonimiteti për “The Moscow Times”. “Një armaturë bazë kushton mesatarisht 52.000 rubla (860 dollarë), por ajo nuk do t’ju mbrojë nga plumbat. Ndërkohë një jelek anti-plumb i cilësisë së lartë, Niveli 4, që ofron mbrojtje të plotë nga plumbat kushton 138.000 (2.280 dollarë)”- thotë Yelena,  konsulente në një dyqan online

Dyqani i pajisjeve ushtarake “Avangard”, i shet jelekët e Nivelit 4 për shumën 195.000 rubla (3.220 dollarë), ndërsa helmetat kanë një çmim prej 50.000 rublash (826 dollarë). “Helmetat e pajisura me maskë për fytyrën janë më të shtrenjtat. Një helmetë e lirë është tradicionale , ndërsa ajo me maskë të mbron edhe mbron sytë, prandaj çmimi është më i lartë”- thotë një shitës i “Avangard”.

Por shumë ushtarë nuk i përdorin dyqanet e specializuara, duke preferuar më shumë tregun e njohur rus online “Avito”, për të blerë pajisje dhe veshje ushtarake. Një shitës i pajisjeve ushtarake në “Avito” u prezantua si Ilya kur u kontaktua nga “The Moscow Time”.

Ai thotë se punon si inxhinier i pajisjeve mjekësore në Ministrinë e Mbrojtjes. Ilya pohon se shitjet e jelekëve dhe pajisjeve të tjera mbrojtëse janë shtuar në “Avito” që nga fillimi i luftës në Ukrainë. “Shumë djem duan të luftojnë. Kur shes mezi gjej kohën për të postuar një reklamë. Unë nuk shes vetëm pajisje të përdorura. Kam helmeta, uniforma anti-balistike dhe jelekë taktikë”- deklaron ai.

Ilya thekson se pajisjet që shet në internet janë refuzuar nga njësitë ushtarake. “Çdo gjë që ata kanë është e licencuar dhe e miratuar nga Ministria e Mbrojtjes. Nëse ndonjë produkt ka ndonjë defekt të vogël, pajisja shitet me ulje çmimi. Edhe ne e shesim me një zbritje të vogël. Nuk duam që ta hedhim në kosh, pasi është 100 për qind e një cilësie të lartë” tha ai.

Ushtarët që folën për “Moscow Times“ thanë se nuk ishin pajisur me komplete ushtarake “Ratnik” të Forcave të Armatosura Ruse. Por ato nuk mund të blihen tek “Avito”. “Mund të blesh një komplet Ratnik për 35.000 rubla (575 dollarë). Me to në trup është e lehtë të ecësh dhe të vraposh. Por pllakat qeramike të mbrojnë vetëm gjoksin dhe shpinën. E shumta mund të të mbrojnë nga copëzat e predhave”-tha Ilya.

Një opsion më i mirë se “Ratnik” është armatura “Gladiator”, e cila që u përdor nga ushtria ruse në Siri dhe që kushton 86.000 rubla (1.410 dollarë). “Unë u rekomandoj rekrutëve të blejnë pajisje më cilësore, dhe të mos bëjnë Pazar me jetën e tyre. Të dalësh gjallë nga lufta, ia vlen më shumë se gjithçka tjetër”- thotë Ilya.

Që nga fillimi i pushtimit, ka pasur shumë prova se ushtria ruse ka hasur në probleme serioze logjistike dhe të furnizimeve. Sipas mediave ukrainase, disa ushtarë rusë u kanë vjedhur edhe këpucët armiqve të tyre. Një ushtar rus, që luftoi në Ukrainë në fillim të luftës, tha për “The Moscow Times” se këpucët dhe veshjet e tij nuk ishin të përshtatshme për dimrin.

“Mua më ngrinë të dyja këmbët. Kur ishim në Ukrainë ngrinim gjithmonë, ditën dhe natën, dhe gjithmonë mendoja se si të ngrohesha”- kujton ai. Ruslan Leviev, themeluesi i Ekipit të Inteligjencës së Konfliktit, që merret me investigimin e veprimtarisë ushtarake dhe të mercenarë rusë, jo të gjitha tendat ushtarake kishin soba.

Në këto kushte ushtarët rusë  përpiqeshin të ngroheshin duke u mbështjellë më batanije.  Ndërkaq, ushtarët rusë që folën për “Moscow Times”, në thanë se i përgatisnin vetë kompletet e ndihmës së parë. “Kompleti përmban fasho dhe jod. Por të paralajmërojnë paraprakisht se nuk do të të shpëtojë jetën nëse plagohesh. Dhe pajisja me një komplet të tilla kushton më shumë para”- thotë ushtaraku i Rosgvardia.

Shitësi i kompanisë “Avito”, Ilya konfirmoi se situata mjekësore në vijën e parë të front është shumë problematike. “Kam krijuar vetë një komplet të ndihmës mjekësore për shumën 20.000 rubla (325 dollarë) dhe ky është minimumi:antibiotikë, bllokues të hemoragjisë,  shiringa, koagulantë. Nëse nuk e ke me vete çantën e ndihmës së parë, askush nuk do të të shpëtojë jetën. Në fushën e betejës nuk mund ta ndalësh rrjedhjen e gjakun vetëm me jod”- thotë ai. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!