Deti i trazuar u merr jetën 2 pushuesve, 24 të tjerë shpëtohen nga policia

schedule21:01 - 28 Korrik, 2019

schedule 21:01 - 28 Korrik, 2019

Ndryshimi i menjëhershëm i kushteve klimaterike ka shkaktuar dallgë të fuqishme në bregdetin tonë. Ku për pasojë kanë humbur jetën dy pushues në plazhin e Durrësit dhe Gjirit të Lalëzit. Ndërkohë në Velipojë, Sarandë dhe Vlorë janë shpëtuar 24 pushues nga ana e policisë dhe rojeve bregdetare. 

Deti i trazuar dhe dallgët e forta kanë marrë jetën e dy pushuesve këtë të diel, ndërsa 24 të tjerë u shpëtuan nga  policia dhe rojet bregdetare.

Shkak për një bilanc të tillë është bërë ndryshimi i papritur i kushteve atmosferike në vendin tonë. Një 33-vjeçar ka ndërruar jetë në plazhin e Gjirit të Lalëzit, ku po bënte xhiro në det me motor uji. Si pasojë e shpejtësisë së lartë të mjetit lundrues, ai është rrëzuar dhe për pasojë është mbytur.

Një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur në plazhin e Durrësit ku një pushuese rreth 50 vjeç është mbytur. Viktima sapo është futur në det për t’u larë nuk është ndjerë mirë.

Pushuesit e tjerë e kanë dërguar atë në spital, por 50-vjeçarja nuk ka mundur të mbijetojë. Shkak sipas bluzave të bardha dyshohet të jenë bërë problemet shëndetësore pasi viktima vuante nga zemra.

Ndërsa në Velipojë të Shkodrës është shmangur një bilanc tjetër tragjik. Policia kufitare në bashkëpunim me Forcat e ndërhyrjes së shpejtë u kanë ardhur në ndihmë 5 shtetasve shqiptarë dhe 9 çekëve, të cilët rrezikuan të mbyteshin në lagunën e Rrjollit.

Pesë shtetasit shqiptarët u transportuan në spital, ku gjenden jashtë rrezikut për jetën. Rojet bregdetare në plazhin e Velipojës kanë shpëtuar një grup tjetër prej 7 personash të cilët rrezikuan të merreshin nga dallgët.

Gjithashtu, në Sarandë, Policia Kufitare ka shpëtuar një pushues, i cili u rrezikua të mbytej si pasojë e dallgëve të detit. Nga ana tjetër, një pushuese nga Kosova dhe një 9 vjeçare u shpëtuan nga rojet bregdetare përkatësisht në Velipojë dhe në plazhin e ujit të ftohtë në Vlorë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!