Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja në Fushë-Krujë. Gazetari Leonidha Musai mëson se Indrit Ndoj është qëlluar nga një distancë e afërt. Plumbi i ka prekur arterien femorale duke shkaktuar hemorragji të menjëhershme dhe duke i marrë kështu edhe jetën.
Sipas eksperteve kriminologë të Drejtorisë së Policisë së Durrësit, në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë. Kjo i bën ekspertët të mendojnë se autori, pasi ka qëlluar, mund ta ketë marrë me vete edhe gëzhojën.
Bazuar edhe nga skena e krimit, viktima dhe autori dyshohet të jenë takuar dhe më pas kanë debatuar. Pra, nuk kemi të bëjmë me ndonjë pritë të mundshme.
Policia po ushtron kontrolle në zonë pasi dyshohet që të bëhet fjalë për një banor të zonës. Ende nuk dihet se çfarë konflikti mund të ketë pasur mes viktimës dhe autorit ndërsa arma e përdorur mendohet të jetë pistoletë.
Hetuesit mendojnë se bazuar në faktin që viktima ka marrë vetëm një plumb në këmbë, autori nuk ka pasur qëllim ta vriste. Ndërkohë, policia ka marrë në pyetje 15 persona, mes tyre familjarë apo edhe të dyshuar për ngjarjen si dhe banorë të zonës. /abcnews.al/