SHQIPËRI- Detaje të reja dalin në dritë në lidhje me megaoperacionin e Policisë së Shtetit të shtrirë në shkallë kombëtare, kundër trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Aktualisht, sipas informacioneve, janë lëshuar mbi 200 urdhër arresti për persona të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Gazetari i Abc News, Ervin Leka, raporton se Tirana ka qenë epiqendra e operacionit me numrin më të madh të të arrestuarve. Sakaq, në këtë operacion janë goditur disa grupe të shpërndarjes së drogës.
Prej disa muajsh ata po mbaheshin nën vëzhgim dhe janë dokumentuar me prova ligjore përfshirja e të arrestuarave në trafikimin e drogës.
Nga ky operacion në Tiranë janë arrestuar 65 persona, 8 prej të cilëve ishin në kërkim gjatë operacion “Tempulli 1”. Ndërkohë në Korçë janë arrestuar mbi 10 persona, ndërsa janë shoqëruar shumë të tjerë. Ka qenë një hetim gati 3 mujor i Prokurorisë së Korçës në bashkëpunim me Policinë.
Mësohet se gjatë natës janë ushtruar kontrolle në mjete, banesa dhe lokale të qytetit të Korçës, por edhe të Maliqit. Ndërsa në Shkodër nga ky aksion mësohet se janë goditur dy raste me lojëra fati në kundërshtim me ligjin.
Abc News mëson se nga policia e Vlorës gjithashtu ka të ndaluar dhe shoqëruar në kuadër të operacionit antidrogë të zhvilluar në të gjithë vendin. Janë rreth 35 persona të ndaluar dhe shoqëruar nga policia pas aksionit, të nisur prej ditës së djeshme. Gjithashtu janë kryer kontrolle në ambiente të ndryshme. Në Durrës janë arrestuar rreth 67 persona, në kuadër të operacionit “Tempulli”.
/ n.m.abcnews.al

