VLORË- Prokuroria e Posaçme SPAK, nëpërmjet komunikimeve në aplikacionin sky ecc, ka zbardhur vrasjen e Gentjan Qarrit dhe Bledar Birçajt të ndodhura në vitin 2021, ngjarje të rënda kriminale dhe një rrjet të trafikut të kokainës që operonte në qytetin e Vlorës. SPAK ka lëshuar urdhër arreste, për Inez Hajrullën i cili njihet si një nga të fortët e Vlorës, por edhe për mikun e tij Ervis Matodashajn.
Grupi që drejtohej nga Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj dyshohet sipas SPAK se qëndrojnë pas vrasjes së Gentjan Qarrit dhe Bledar Birçajt, por edhe pas trafikimit të qindra kilogram kokaine dhe ngjarjeve të tjera kriminale.
Pavarësisht se RENEA dhe BKH zbarkuan në Kompleksin OSLO, që njihet edhe si baza e grupit të Inez Hajrullës, në Vlorës, vetë Hajrulla dhe Ervis Matodashaj nuk janë mundur që të kapen, duke u shpallur në kërkim. Inez Hajrulla, i njohur ndryshe si i forti i Vlorës, është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe që deri më tani u ka shpëtuar të paktën 3 atentateve, në vitin 2017, 2019 dhe një atentat të organizuar në vitin 2023 ku Hajrulla shpëtoi bashkë me Matodashajn.
Masë sigurie e re I është komunikuar në burg, edhe Flodian Plakut i arrestuar në gusht 2025 për vrasjen e Gentian Beqirit. SPAK mësohet se ka mundur që të siguroi të dhëna të rëndësishme nga celulari i sekuestruar i Flodian Plakut, i njohur ndryshe edhe si Pole Qorri.
Ndërkohë në pranga e policisë ka rënë edhe Rezart Kuci, mbi të cilin rëndojnë akuzat për Shpërdorim Detyre, Trafik narkotikësh dhe grup kriminal. Aktualisht ai ka qenë me detyrë në Kukës pranë seksionit të Policisë shkencore, ndërsa më herët ka pasur detyrën e Shefit të Krimeve në Komisariatin nr 1 në Tiranë.
Veprat penale dyshohet se Rezart Kuci i ka kryer kur ka qenë me detyrë shef krimesh në Drejtorinë e Policisë në Vlorë.
Po ashtu masa e sigurisë së arrestit me burg mësohet se është ekzekutuar edhe për një ish punonjës policie, Hames Demushi. Ky i fundit rezulton të jetë me precedent të theksuar kriminal, në fushën e lëndëve narkotike.
Përveç këtyre personave, mësohet se masa e sigurisë së “Arrestit me burg” për këtë grup kriminal, u është komunikuar edhe dy personave të arrestuar më herët në Itali dhe një tjetri në Greqi. Vrasja e Gentjan Qarrit dhe Bledar Birçajt dyshohet të ketë ardhur si pasojë e përplasjeve të bandave në Vlorë, për kontrollin e trafikut të kokainës.
40-vjeçari Gentjan Qarri u vra në shkurt të vitit 2021 në qytetin e Vlorës. I njohur ndryshe si Gecja, ishte person i skeduar nga policia e Vlorës për drogë, ndërsa në Itali ai ishte dënuar me 11 vite burg, pikërisht për trafikim kokaine.
Bledar Bircaj u vra në Maj të vitit 2021, në një atentat në qytetin e Vlorës, tre javë pasi ishte kthyer nga Spanja. Emri i Birçajt nuk ishte një emër i panjohur për policinë, pasi në vitin 2011 është arrestuar në Vlorë si i dyshuar për vrasje, por edhe I skeduar për trafik lëndësh narkotike në vende të Bashkimit Europian.
/abcnews.al/


