Seanca paraprake për ish-ministrin e Brendshëm Tahiri në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka dështuar për shkak të mungesës së tre ish-oficerëve të policisë së Vlorës, që nuk ishin njoftuar për këtë seancë. Seanca u shty për në 26 Mars.
Dështon seanca paraprake për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Shkak u bë mungesa në seancë e 3 zyrtarëve të lartë të Policisë së Vlorës Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergji Kohila. Avokati i Tahirit Maks Haxhia nuk përjashton mundësinë për të dorëzuar kërkesën për gjykim të shkurtuar.
“Detyrohemi që ta bëjmë kërkesën për gjykim të shkurtuar sepse gjithë materialin që ne kemi parë në ngarkim të zotit Tahiri dhe të tjerëve nuk ka asnjë provë që të implikohet zoti Tahiri”, u shpreh avokati Maks Haxhia.
Ish-ministri i Brendshëm nuk pranoi që të fliste vetë për mediat. Avokati i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Maks Haxhia, mohoi të gjitha akuzat për klientin e tij, duke u shprehur se prokuroria, në 50 fashikuj nuk ka asnjë provë kundra Tahirit.
“Në këtë seancë gjyqësore nga ana e Prokurorisë zoti Tahiri është sjellë në bashkëpunim me oficerë të policisë, drejtues të policisë dhe nuk është sjellë në bashkëpunim me Habilajt”, tha avokati Haxhia.
Seanca e radhës do të zhvillohet më 26 Mars në orën 10:00, aty ku do të vendoset edhe fati i ish-ministrit të Brendshëm. Gjyqtarja Miliana Muça do të vendosë nëse do të pushojë hetimet apo do të nisë procesin gjyqësor.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur 2 akuza ndaj Saimir Tahirit, trafikimin e narkotikëve të kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, si edhe korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë. Ndërkohë pak ditë më parë është dërguar për gjykim dosja për grupin e Habilajve./abcnews.al