Dështon ndërtimi i Teatrit me PPP, Zëri Amerikës: Qeveria e kishte mbrojtur me këmbëngulje

schedule20:09 - 26 Shkurt, 2020

schedule 20:09 - 26 Shkurt, 2020

Në Shqipëri, Bashkia e Tiranës njoftoi sot se nuk arriti dot marrëveshjen me një kompani private për ndërtimin sipas formulës së Partneritetit Publik Privat, Teatrin e ri kombëtar në vend të godinës aktuale në qendër të kryeqytetit.

“Komisioni i negocimit, në mbështetje të të gjitha kërkesave të komunitetit të artistëve për një teatër modern, i cili përmbush kriteret e nevojshme për realizimin profesional e me cilësi të shfaqjeve teatrale, nuk arriti të gjejë dakordësinë me palën private. Modeli financiar i propozuar nga pala private e interesuar për ndërtimin e godinës së Teatrit të ri Kombëtar dhe zhvillimit të zonës urbane, por edhe kompleksiteti i projektit, i cili duhet të përmbushte të gjitha kërkesat teknike të kërkuara nga përfaqësia e artistëve në komision, nuk mundësonte ndërtimin e godinës në një kohë të shpejtë dhe me infrastrukturë moderne për një teatër bashkëkohor”, bëri të ditur Bashkia në një deklaratë.

Ndërtimi i një Teatri të ri sipas një projekti të arkitektit të njohur danez Bjarke Ingel, u kundërshtua nga një pjesë e komunitetit të artistëve, ndërkohë që mënyra e zgjedhur nga Qeveria ngriti shumë dyshime. Parlamenti miratoi në 2018 një ligj të posaçëm i cili i njihte të drejtën një kompanie private që të ndërtonte me fondet e saj një godinën e re. Në këmbim, kompanisë, i lejohej ndërtimi i disa pallateteve shumëkatëshe në zonën rreth e qark në zemër të Tiranës.

Në ligjin e hartuar nga Parlamenti, në ndryshim nga një variant i mëparshëm që specifikonte me emër kompaninën shqiptare të ndërtimit “FUSHA”, u la hapësira për garë. Por në të vërtetë, ishte sërish vetëm “FUSHA” që u paraqit në garën e cila u mbyll në gjysmën e dytë të shtatorit 2019.

Qeveria e kishte mbrojtur me këmbëngulje këtë projekt, duke deklaruar se formula e Partneritetit Publik Privat, ishte e vetmja mënyrë për të financuar një projekt të kushtueshëm, të cilin ajo vetë nuk mund ta përballonte me burimet e veta financiare. Kostoja e ndërtimit sipas prijektit të arkitektit danez shkon mbi 30 milion euro. Mirëpo në deklaratën e sotme të Bashkisë theksohet se “nisur nga interesi për të ndërtuar një godinë bashkëkohore dhe moderne, që plotëson të gjitha kushtet teknike për realizimin e shfaqjeve, e cila t’i shërbejë komunitetit artistik teatror dhe publikut artdashës, Qeveria dhe Bashkia e Tiranës vendosën që godina e re e Teatrit Kombëtar të ndërtohet nga shteti si një investim publik”. Madje Bashkia zotohet se puna do të nisë brenda këtij viti për të realizuar po të njejtin projekt për godinën e re të Teatrit. /VOA