Dështon marrja në pyetje e Avdjol Dobit

schedule20:33 - 19 Dhjetor, 2018

schedule 20:33 - 19 Dhjetor, 2018

Marrja në pyetje e përfaqësuesit ligjor të kompanisë “DH Albania” nga Prokuroria ka dështuar. 26 vjeçari, që rezulton të jetë personi i vetëm i kompanisë, që ka negociuar kontratat e dy tenderave me vlerë 30 milionë euro, nuk është paraqitur pranë organit të akuzës.

Prokuroria e Tiranës dështoi sot të marrë në pyetje përfaqësuesin ligjor të kompanisë “DH Albania”, e përfshirë në skandalin e fitimit të dy tenderave me vlerë 30 milionë euro përmes dokumentave të falsifikuar. Avdjol Dobi ishte thirrur të jepte sqarime në lidhje me aferën e lotit të parë të Unazës së Madhe me vlerë 18 milionë euro dhe atë të ndërtimit të linjës 220 kilovolt Burrel-Peshkopi.

Por 26 –vjeçari nuk është paraqitur pranë organit të akuzës. Si personi i vetëm që përfaqëson “DH Albania” në Shqipëri dhe që ka negociuar dy kontratat me shtetin shqiptar, dëshmia e tij konsiderohet e rëndësishme. Megjithatë, edhe pse hetimet kanë nisur prej më shumë se 1 javë, deponimi i tij nuk është bërë ende pjesë e hetimit. Avdjol Dobi do të japë sqarime në lidhje me dokumentat që kompania dorëzoi pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe do të pyetet nëse ka dijeni që dokumentat e paraqitura janë të falsifikuara apo se kush janë personat që ia kanë dhënë atij këto dokumenta.

Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se “DH Albania” ka falsifikuar datën e regjistrimit, bilancet dhe një çertifikatë të sekretarit të shtetit të Delaëare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas të cilës ajo nuk ka detyrime fiskale në këtë shtet ku është regjistuar. Dyshohet gjithashtu se “DH Albania” ka falsifikuar edhe noterizimin në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë një noter, i cili rezulton se nuk ekziston. Sipas sistemit TIMS Avdjol Dobi rezulton se ndodhet në vendin tonë, por ai nuk ka njoftuar në Prokurori as nëse e ka marrë fletë-thirrjen e nisur nga prokurorja e çështjes, Elisabeta Ymeraj.

Grupi hetimor ka nxjerrë fletë-thirrje edhe për noteren Xhevahire Brahaj e cila ka kryer noterizimin e të gjithë dokumentacionit të “DH Albania” në vendin tonë, si dhe për përkthyesen Shenda Kruja e cila nuk ka një lincesë të ministirisë së drejtësisë dhe përkthimi i saj nuk është ligjor. Zëri i Amerikës dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative – BIRN – kanë publikuar të dhëna dhe dokumenta zyrtare që e lidhin Dobin e Krujën me kompaninë “Gener 2”, e cila rezulton se ka paguar edhe për hapjen e niptit në Shqipëri për llogari të “DH Albania”. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!