Dështon marrëveshja bërthamore, reagon Irani

schedule22:45 - 17 Qershor, 2019

schedule 22:45 - 17 Qershor, 2019

Me pretendimin se marrëveshja e vitit 2015 po shkërmoqet, Irani ka paralajmëruar se në fund të muajit do të shkelë limitin e vendosur për pasurimin e uraniumit, për të prodhuar armë bërthamore.

Autoritetet iraniane kanë njoftuar të hënën se nga 27 qershori do të shkelin limitin e pasurimit të uraniumit, i përcaktuar në kuadër të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Agjencia vendase për energjinë atomike ka deklaruar se ka katërfishuar tashmë prodhimin e materialit që përdoret për reaktorët atomike dhe më pas për të prodhuar armët bërthamore. Por e njëjta agjenci ka shtuar se, ka ende kohë që vendet evropiane të veprojnë për ta mbrojtur Iranin nga efektet e sanksioneve të rivendosura nga Shtetet e Bashkuara. Nga ana e tyre, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania kanë paralajmëruar Iranin që të mos e shkelë marrëveshjen dhe njëkohësisht i kanë bërë me dije se në rast të një skenari të tillë nuk u mbetet gjë tjetër veçse të rivendosin edhe ato sanksionet.

Zhvillimet e fundit vijnë në një kohë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, pas shpërthimeve të dy anijeve-cisternë në Gjirin e Omanit, për të cilat administrata amerikane akuzon Republikën Islamike. Vetë presidenti Donald Trump, i cili tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga akordi i vitit 2015, kërkon ta rikthejë Iranin në tryezën e bisedimeve, me qëllim rinegocimin e marrëveshjes dhe ndalimin e programit të raketave balistike./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!