Anëtarësimi në NATO i Finlandës dhe Suedisë, pasi dy vendet aplikuan zyrtarisht pritet të shtojë tensionet në Evropë. Por si pritet të reagojë Rusia për këtë zhvillim, i cilësuar si historik?
I ftuar në studion e ABC Live, Mentor Beqa, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare tha se pritet që Rusia të përdorë dy mënyra për të reaguar.
“Si mund të reagojë Rusia? Një ndër mënyrat është vendosja e armëve bërthamore në Kaliningrad, një enklavë ruse në zonën e Baltikut. Është një valvul sigurie që Rusia ruan sovranitet. Ka shumë të dhëna që Kaliningrad mund të ketë armë bërthamore të pranishme. Mendohet që mund të ritet prezenca e tyre dhe kjo mund të shërbejë si formë kërcënimi. Një tjetër mënyrë mund të jetë intensifikimi i agresionit mbi Ukrainë, nga enklava moldave”, u shpreh ai.
Beqa thekson më tej se Rusia ka dështuar me pushtimin e Ukrainës, ndërsa po detyrohet të ndryshojë strategji. Sipas tij, lufta mund të përfundojë me një konflikt të ngrirë.
“Deri tani kemi një ngecje të avancimit të Rusisë brenda në Ukrainë, siç ishte në Kharkiv. Por kemi një avancim në Mariuopol. Kemi një ngecje të avancimit të Rusisë. Kjo e bën edhe më komplekse situatën. Gjasat janë që të përfundojmë në një konflikt të ngrirë.
Udhëzuesi më i mirë në këtë rast është historia. Dhe në fakt historia nuk na bën optimist. Vetëm 13% e konflikteve që në 1945 kanë përfunduar me paqe.
Sanksionet kanë ndikuar dhe Rusia do të dalë shumë më e dobët nga ky konflikt. Historia na tregon që nga 1914 që vendet agresore nuk kanë marrë një fitore të shpejtë. Është shumë e vështirë të vendosësh nën kontroll një vend që lufton për mbijetesë. Është e vështirë që një vend që lufton për territorin tij ta vendosësh nën pushtim. Rusia ndoshta nuk ka nxjerrë mësimet e duhura nga historia”, tha ai. g.v/abcnews.al