Pas dështimit të përmirësimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara me ardhjen e Donald Trump në pushtet, presidentit Putin i kanë mbetur fare pak opsione për të avancuar politikën e jashtme ruse. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, aleancat e reja zor se do t’i sjellin Rusisë suksesin që kishte arritur nga marrëdhëniet me Perëndimin.
Për shumë kohë, Rusia pa tek Donald Trump mjetin kryesor të strategjisë së saj për të përmirësuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Por, 14 muaj pas zyrtarizimit të Trump si president, Moska ndodhet fare pranë konsiderimit të tij një opsion të shterruar. Edhe pse me ngurrim, verën e kaluar Trump firmosi aplikimin e sanksioneve të reja ndaj Rusisë për shkak të ndërhyrjes në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Ndërsa javën e kaluar ai mbështeti dëbimin e 60 diplomatëve rusë dhe mbylljen e konsullatës ruse në Siatëll, pas helmimit të ish-oficerit Sergei Skripal në Britani. Pas humbjes së bastit që vuri për Trump, Rusia ka parë edhe fundosjen e marrëdhënieve me Perëndimin në nivelet më të ulëta, gjë që ka shtuar zërat për një Luftë të Ftohtë të re. Në këto rrethana, opsionet e presidentit Putin për të ndryshuar strategji, duke u bazuar më pak tek Trump dhe duke u lidhur më shumë me vendet përreth janë tej mase të kufizuara. Një nga opsionet është të përpiqet të zgjerojë përçarjet në radhët e Perëndimit duke flirtuar me Francën dhe Gjermaninë; një tjetër është bashkimi i mëtejshëm me Kinën dhe Indinë; por marrëdhëniet me Uashingtonin shihen në Moskë si boshti i politikës së jashtme ruse. “Uashingtoni është i fiksuar të luftojë me të ashtuquajturin “kërcënimi rus”, që është inekzistent. Kjo çështje ka marrë përmasa dhe karakteristika absurde, saqë mund të flasim për një kthim të mundshëm në kohën e errët të Luftës së Ftohtë”, ka deklaruar shefi i shërbimeve sekrete të jashtme ruse, Sergei Narishkin. Edhe emërimet e Mike Pompeo dhe John Bolton në pikat kyçe të diplomacisë amerikane i ka prishur humorin Moskës, bëjnë të ditur burime të afërta me vendimmarrjen ruse, të cituar nga “Reuters”. Sipas tyre, Rusia do të angazhohet në dialog vetëm kur Amerika të shprehë gatishmërinë e saj. Deri atëherë, nëse do të ketë veprime të tjera armiqësore, si dëbimi i diplomatëve, ajo do të përgjigjet në të njëjtën mënyrë./abcnews.al