PRISHTINË- Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka përshëndetur sërish vendimin e qeverisë së Kosovës për të pranuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë gjatë takimit të së enjtes në Bruksel. Ai shprehet se Kosova bëri një hap domethënës në këtë drejtim, ndërsa apeloi që edhe Serbia duhet të bëjë të njëjtën gjë.
Analisti nga Kosova, Milazim Koci, tha se ky qëndrim i kryeministrit Edi Rama është shumë i drejtë. Gjatë intervistës në Ballkan Update, Koci u shpreh se se Kurti pati gatishmëri për të nënshkruar jo vetëm marrëveshjen e planit franko-gjerman të arritur në Ohër, por edhe krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ai thotë se me këto veprimet e fundit dhe në takimin e djeshëm në Bruksel shihet qartë se cila palë i shmanget zotimeve dhe kjo për analistin është Serbia.
“Qëndrimi I kryeministrit Rama është shumë i drejtë. Ajo që ndodhi mbrëmë në Bruksel i jep të drejtë Ramës, por edhe Kosovës, kryeministri Kurti ishte i gatshëm të nënshkruajë jo vetëm marrëveshjen franko-gjermane, por ishte i gatshëm të nënshkruajë edhe pakon për draft asociacionin që e ka hartuar vetë Bashkimi Evropian edhe që vetë e ka cilësuar si një draft modern të asociacionit. Ai ishte I gatshëm të nënshkruajë të dyja, pala serbe refuzoi. Pas takimit, Vuçiç hapur tha se Serbia kundërshton afatësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, është kundër pavarësisë së Kosovë dhe deklarimet e mëpasshme të BE, nuk janë krejtësisht korrekte, sepse në këtë raste kësaj radhe është evidente se cila palë e do marrëveshjen dhe cila e refuzon. Kemi palën serbe e cila pa asnjë hezitim refuzon marrëveshjen dhe Borrell del me deklarimet se palët kanë vënë kushte. Nuk e kuptoj se çfarë parakushte ka vendosur pala, e cila pranon të nënshkruajë edhe marrëveshjen franko-gjermane edhe draftin për asociacionin për komente me shumicë serbe, në ditët në vijim do dihet të këtë sqarim për këtë çështje, sepse është evidente se ka një qasje të njëanshme të Brukselit në raport me Kosovën. Më vjen shumë mirë që Michel, që e ka evidentuar Serbisë si problem dhe besoj se këtij qëndrimi të tij ti bashkohen edhe zyrtarë të tjerë të BE dhe të mos bëjnë lojën e strucit dhe mos të luajnë lojëra. Nuk ka dilema, Serbia është ajo që nuk dëshiron marrëveshjen franko-gjermane. Kjo duhet të sanksionohet besoj shumë shpejt”, tha ai.
Ai komentoi edhe vizitën e Ursula von der Leyen, e cila nesër do jetë në Kosovë. Sipas tij, Ursula von der Leyen do përçojë mesazh të prerë të BE në raport me dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Ne tani nuk mund ta fundosim Kosovë për shkak të inateve të dikujt. Mendoj se opozita duhet të mbajë qëndrime parimore dhe ta heqë nga tavolina çështjen e pikëve për politikë. Nga vizita, e cila duket e planifikuar më herët dhe nuk besoj se është e inspiruar nga zhvillimet e djeshme. Në Kosovë mund të kemi qartësim të pozicionit të BE në raport me zhvillimet e dialogut dhe këtë besoj se von der Leyen do ta bëjë më të qartë dhe do vijë me qëndrime të prera të BE”, theksoi ai.