Pa njohje të reja dhe pa anëtarësim në ndonjë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare. Kështu e përfundoi Kosova vitin 2024. Megjithë mungesën e rezultateve, partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje, thotë se kanë punuar në fuqizimin ndërkombëtar të shtetit, ndërkaq opozita dhe njohësit e marrdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka dështuar në politikën e jashtme.
“Për katër vjet të këtij pushteti s’kemi pasur asnjë zhvillim, asnjë anëtarësim të vetëm në ndonjë mekanizëm ndërkombëtarë, asnjë njohje. Një Kosovë e vetme, e izoluar, larg partnerëve si SHBA-ja dhe BE-ja, por mbi të gjitha me raporte të tensionuara edhe me shtetin amë Shqipërinë dhe shtetet përreth”
Kritika ndaj Gërvallës adreson edhe ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj.
“S’kemi asnjë zhvillim në politikën e jashtme. As njohje, as anëtarësime…S’kemi parë një rol instrumental të zonjës Gërvalla apo të ministrisë në dialogun me Serbinë, ndonëse është jo vetëm ministre por zëvendëskryeministre. S’kemi parë as ndonjë veprim diplomatik të avancuar nga qeveritë e kaluara. Madje kjo ka amplifikuar shpeshherë dëmtimin e marrëdhënieve që ka bërë kryeministri Kurti ndaj aleatëve”.
Por, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetare e Komisionit parlamentar për politikë të jashtme, Arbëreshë Kryeziu thotë paradoksalisht se Kosova s’ka qenë ndonjëherë më mirë e përfaqësuar në arenën ndërkombëtare.
“Nëse bazohemi në atë se çka thotë opozita si kritikë. për mua nuk është fare relevante pasi në realitet qëndron krejtësisht e kundërta e asaj. Unë e di se njëra prej kritikave të vazhdueshme përgjatë gjithë kësaj periudhe qeverisjeje katër-vjeçare, ka qenë mosofrimi i njohjeve të reja, por ne kur kemi ofruar programin tonë qeverisës në zgjedhjet e vitit 2021, ne asnjëherë s’kemi premtuar njohje të reja.
Kosova, e cila e ka shpallur pavarësinë më 2008, vazhdon të mos njihet nga pesë shtete të Bashkimit Evropian – Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro.
Shtetin e kanë njohur 117 vende. Njohja e fundit ka ardhur nga Izraeli, tri vjet më pare./abcnews.al