Dalin detaje të reja për ngjarjen mbrëmë në Durrës ku një 25 vjeçar dyshohet se u aksidentua për vdekje. ABC News ka siguruar dëshminë e shoferit të autobusit poshtë të cilit u gjet motori i shpërndaresit të picave.
Shoferi i autobusit që sipas policisë aksidentoi shpërndarësin e picave pranë mbikalimit të Shkozetit ka dëshmuar se nuk pa gjëkundi trupin e viktimës.
Kurse motori kishte mbetur poshtë rrotave.
1.5 km më larg, pranë urës së Dajlanit, sipas pamjeve të siguruara nga ABC Neës, trupi i 25 vjecarit R.B shfaqet nga hiçi gjysmë i zhveshur, sapo aty kalon një furgon.
Nuk duket qartë nëse viktima u hodh në rruge nga dikush brenda apo kishte ngecur në pjesën fundore të mjetit.
Drejtuesi i furgonit nuk është ndaluar akoma dhe policia nuk ka siguruar ende prova për të saktësuar se çfarë ndodhi me të riun që shpërndante pica.
Pamjet e videos horror kanë ngritur shumë dyshime.
Nga kush u aksidentua 25 vjeçari, si ndodhi zhvendosja e trupit të tij, ishte aksident apo vrasje.
Në një komunikatë të tretë të policisë së Durrësit, ndryshe nga dy versionet e para, thuhet që rreth orës 20:10, në autostradën Tiranë- Durrës, në afërsi të një karburanti, në Shkozet, P.T, duke drejtuar një mjet autobus tip “Skania” u përplas me motorin tip “Dajang”, me drejtues R. B, 25 vjeç, banues në lagjen nr. 15 Durres i cili ka gjetur vdekjen.
Nga këqyrja e kamerave dhe veprimet paraprake rezulton se drejtuesi i motorit si pasojë e përplasjes nga autobusi është përplasur edhe me një mjet tjetër i cili e ka spostuar trupin e viktimës nga vendngjarja. Kurse motori është gjetur në vendngjarje poshtë autobusit, përfundon njoftimi.
Një grup hetimor po punon për këtë ngjarje të frikshme që jo vetëm ka shokuar opinioin, por edhe ka ngritur shumë dilema.
Gazetare e ABC News, Durrës: Enkeleda Arapi
Operator: Adi Domi
/abcnews.al