Kylian Mbappe është ylli i kombëtares së Francës dhe PSG-së. Shumë përflitet për një largim të tij nga nënkampionët e Evropës, teksa shumë klube janë gati t’i plotësojnë çdo dëshirë sulmuesit të talentuar 22-vjeçar.
Didier Deschamps flet hapur rreth goleadorit francez në prononcimin e dhënë për beIN Sports, aty ku ndalet edhe te dyshja Theo Hernandez dhe Jules Kounde. Mbrojtësi i majtë dhe qendërmbrojtësi po shkëlqejnë te Milani dhe Sevilla, dhe presin një ftesë nga trajneri i kombëtares franceze.
“Është privilegj fakti që Mbappe është francez, është shumë pozitive për futbollin tonë që ai luan me PSG në Ligue 1. E ardhmja? I takon atij të vendosë nëse do të transferohet në Spanjë, Itali apo Angli. Kylian është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe dëshiron të fitojë trofe.
Të gjithë zgjedhjet që bëhen duken të mira në fillim, por pas një farë kohe kuptohet më mirë se çfarë vendimi kemi marrë. Nuk më takon t’u jap këshilla lojtarëve francezë, ata kanë mjaft njerëz përreth tyre që merren më një gjë të tillë.
Ama, nëse do të më pyesnin, unë do të shprehja me kënaqësi mendimin tim. Sinqerisht që nuk di asgjë rreth së ardhmes së Mbappe, vendimi për të ardhmen i takon atij dhe familjes së tij.
Theo-Kounde? Po i ndjek të dy me kujdes, por përballja me konkurrencën e madhe është një faktor i rëndësishëm te kombëtarja. Nuk duhet të harrojmë edhe lojtarë të tjerë. Lista ime e 18 marsit do të jetë e ndryshme nga e mëparshmja“, thekson Deschamps. /abcnews.al