Kastriot Dermaku ka lindur në Itali, prindërit e tij janë me origjinë dardane dhe mbron fanellën e kombëtares shqiptare. Qendërmbrojtësi ka punuar shumë për të mbërritur në Serie A dhe verën e kaluar ia doli. Ai është pjesë e Parmës, klub me të cilin ka një kontratë deri në vitin 2023.
28-vjeçari ka dhënë një rrëfim interesant dhe emocionues për Calciomercato. Babai i tij është tifozi numër një dhe nuk mund të mungonte në debutimin e Kastriotit në elitën e futbollit italian dhe realizimin e golit të parë me kombëtaren kuqezi.
Dy momente që nuk harrohen kurrë, teksa “gjiganti” i mbrojtjes (7 ndeshje dhe 1 gol me Shqipërinë) i risjell sërish ato emocione të paharrueshme. Dermaku ka zbritur 11 herë në fushën e blertë me Parmën këtë sezon dhe po lufton për të siguruar një fanellë titullari.
Ai flet edhe për Panuccin dhe Rejën. I pari i dha mundësinë të debutonte me kuqezinjtë, ndërsa i dyti, me të cilin ka një raport fantastik, i besoi sapo mori drejtimin e kombëtares. Në fund pasionet, dëshirat dhe ambiciet e tij, që lidhen me Serie A dhe Shqipërinë.
FUTBOLLI – “Mendoj se nuk do të ketë shumë ndryshime, futbolli do të jetë i njëjti. Do të jetë e shpifur të luajmë pa tifozë, do presim që të rikthehen në stadiume. Kjo është e vetmja diferencë krahasuar me të kaluarën. Shpresojmë t’i kthehemi gradualisht situatës normale”.
DEBUTIMI NË SERIE A – “Nuk do e harroj kurrë debutimin e ndodhur në 20 tetorin e kaluar. Ndodhi gjithçka shumë shpejt. Bruno Alves pësoi një lëndim një ditë para ndeshjes dhe trajneri më hodhi në fushë të nesërmen. Sapo kuptova që do të luaja, lajmërova menjëherë babanë në Kosovë. I preva direkt biletën e avionit dhe erdhi në Itali për të më ndjekur. Ishte një emocion i madh, zhvilluam një ndeshje të madhe dhe fituam 5-1. Do e kujtoj gjithmonë me dashuri atë ditë”.
FRYMËZIMI – “Tentoj të shoh sa më shumë ndeshje. Mendoj se më të mirët sot për sot janë: Sergio Ramos, Virgil Van Dijk dhe Giorgio Chiellini. Janë tre mbrojtës të ndryshëm, por të ndihmon për t’u përmirësuar kur i studion”.
SHQIPËRIA – “Kam lindur në Itali, por ndihem shqiptar. Është origjina ime dhe gjuha që flitet në familjen time. Sa herë kam mundësi shkoj në Shqipëri ose Kosovë. Në aspektin kulturor, duke llogaritur që kam lindur këtu, ndihem më italian. E flas mirë si gjuhë, kam shumë miq, ndihem mirë në Itali dhe mendoj se do të vazhdoj të jetoj këtu edhe kur ta mbyll me futbollin”.
KOMBËTARJA – “Panucci më dha mundësinë të luaja me kombëtaren e madhe, realizova një ëndërr. Nuk u mendova fare kur më ftoi. Reja? Kam një raport të shkëlqyer me të, më ka dhënë menjëherë shumë besim. Ai dhe stafi i tij kanë sjellë eksperiencën e tyre. Ndihemi mirë, shpresojmë të bëjmë më mirë se në dy vitet e fundit. Do të ishte diçka e bukur të kualifikoheshim në një kompeticion të rëndësishëm”.
GOLI KUQEZI – “Babai ishte në stadium kur shënova golin e parë me kombëtaren. Po, ai më sjell fat. Ishte ndoshta dita më e bukur e jetës time. Luanim në shtëpi kundër Islandës, ishte një ndeshje e rëndësishme për kualifikimin në Evropian. Luaja ndeshjen time të dytë si titullar, doja të paraqitesha mire. Në tribunë gjendeshin babai, axha dhe gjyshi im. Është një kujtim që nuk do e harroj kurrë, sepse nuk kanë mundësi të gjithë të veshin fanellën e kombëtares. Shënimi i golit ishte qershia mbi tortë”.
PASIONET DHE ËNDRRAT – “Nuk kam shumë hobe, e kaloj kohën mes futbollit dhe familjes. Më pëlqen të lexoj ose të shoh seriale në televizor. Në të ardhmen dëshiroj të mësoj golfin. Do të më pëlqente të vijoja të luaja në Serie A, ndërsa me Shqipërinë dua të luaj në Evropian ose Botëror. Mendoj se do të ishte maksimumi në aspektin emocional”. /abcnews.al