Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka paralajmëruar homologun francez kundër vendosjes së trupave në Ukrainë, në një telefonatë të mërkurën, dhe vuri në dukje se Moska është e gatshme të marrë pjesë në bisedimet për t’i dhënë fund konfliktit.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka bërë të ditur se Shoigu i ka thënë ministrit francez të Mbrojtjes, Sébastien Lecornu, se nëse Parisi ndjek deklaratat e tij për mundësinë e dërgimit të një kontigjenti ushtarak francez në Ukrainë, “kjo do të krijonte probleme për vetë Francën”, raporton AP.
Biseda pasoi deklaratën e presidentit francez, Emmanuel Macron në shkurt, në të cilat ai tha se mundësia e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë nuk mund të përjashtohej.
Shoigu vuri në dukje “gatishmërinë e Moskës për dialog mbi Ukrainën”, duke theksuar se një raund i planifikuar i bisedimeve të paqes në Gjenevë do të ishte “i pakuptimtë” pa përfshirjen e Rusisë.
Ai shtoi se negociatat e mundshme të ardhshme mund të bazohen në një draft dokument, i cili u diskutua gjatë bisedimeve Rusi-Ukrainë në Stamboll, në mars të vitit 2022.
Raportet e mediave kanë thënë se drafti i negociuar në Stamboll disa javë pasi Moska dërgoi trupa në Ukrainë parashikonte që Ukraina do të braktiste ofertën e saj për t’u bashkuar me NATO-n dhe do të qëndronte neutrale. Asnjë marrëveshje përfundimtare nuk u arrit dhe bisedimet dështuan shpejt më pas.