Është ende në elitën e Europës. Qazim Laçi vlerësohet si njëri nga lojtarët më të fortë të Spartës së Pragës, dhe mbrëmjen e sotme do të ketë një duel të veçantë. Mesfushori I kombëtares shqiptare pritet të jetë përballë shokut të tij të repartit kuqezi, Kristian Asllanit, ndërsa kampionia e Çekisë pret Interin në fushën e saj.
Skuadra çeke shpreson në një rezultat pozitiv, dhe në një surprizë ndaj italianëve që konsiderohen favoritë. Laçi besohet se do të jetë titullar, dhe kush mund ta tregojë këtë më mirë sesa fakti që ai doli në konferencë për shtyp në krah të trajnerit danez, Lars Fris. Shqiptari u pyet padyshim për duelin me patriotin e tij.
“Sinqerisht nuk kam folur me Asllanin. Është një shok I kombëtares, këtë herë por do të jemi kundërshtarë për 90 minuta. Nuk mendoj se ndaj Interit është ndeshje pa shpresë për ne. Në Itali jam tifoz me Milanin, prandaj kjo sfidë më motivon edhe më shumë. Interi ka një nga mesfushat më të forta, dhe do na duhet diçka më tepër për të konkurruar me ta. Sipas mendimit tim, Interi është një nga skuadrat më të mira në Europë madje prej disa vitesh. Iu afrua shumë fitores së Championsit”.
Tek Sparta nuk do të jetë Indrit Tuci, sulmuesi kuqezi, por padyshim që që nga minuta e parë pritet ylli ofensiv i Kosovës, Abion Rrahmani, i cili ka shënuar më herët në Champions, në sfidën kundër Fejënordit.
Po Interi? Tek zikaltërit, Asllani jepet sërish titullar, dhe kjo do të ishte ndeshja e tretë radhazi që nga fillimi. Kampionia e Italisë do të ketë mungesa si Bisek, Çalhanoglu, Korrea, por edhe Açerbi.
Në sulm pritet të jetë sërish Lautaro Martinez, edhe pse trajneri Simone Inzagi do të synojë të realizojë një rotacion për të mos lodhur yjet kryesorë./abcnews.al