Nga Hergi Llupi
Njëzet vjet duket se kanë kaluar papritur dhe askush në Itali nuk do ta merrte me mend se këto dy skuadra do të shkonin në gjysmëfinale këtë sezon para klubeve si Barcelona, PSG, Liverpool etj.
Pas kaq shumë viteve, tashmë është e sigurt që një ekip italian do të shkojë në finalen e madhe të Champions League. Do të luhen dy derbi që kanë vlerën e 20 viteve, 20 vite të pritura nga të gjithë për të parë një spektakël të vërtetë në këtë kompeticion kaq të madhërishëm dhe të ndjekur nga e gjithë bota. Milan dhe Inter do të luajnë dy sfida të nxehta, në të njëjtin stadium dhe me të njëjtin numër tifozësh. Spektakli është i garantuar dhe emocionet kanë filluar që tashmë, edhe pse duhen disa javë që këto dy klube të përballen në aktine parë të gjysmëfinaleve.
Interi dhe Milani janë një burim krenarie në Itali. Jo se ishin klubet më të forta në këtë kompeticion, por ishin ato dy klube të cilat kanë luftuar me këmbëngulje, me zemër, me qetësi, me pjekuri dhe me bindje, dy klube që lanë pas momentet negative në kampionat dhe në fushën e më të mirëve të Europës janë futur si një skuadër që beson shumë.
Inter dhe Milan gjithmonë kanë pasur një rivalitet, dhe se vitet e fundit kanë filluar të ringrihen aq sa sot t’i shohim në një derbi të Milanos përsëri, por këtë herë nën himnin e UEFA Champions League. Më datë 10 maj do të luhet akti i parë, Milan-Inter. Akti i dytë dhe vendimtar do të jetë më 16 maj, Inter-Milan.
Janë dy skuadra që e meritojnë të dyja finalen, por të gjithë e dimë se nuk do të jetë e mundur për të dyja, por vetëm njëra do të përfaqësojë Milanon dhe Italinë në finalen e madhe të Stambollit. Gjysmëfinalja tjetër është Manchester City-Real Madrid. Kushdo që të kalojë nga këto dy ekipe në finale, Milan apo Interi do ta kenë tepër të vështirë këtë përballje për finalen e Stambollit. Ndoshta askush nga italianet nuk e sjell në shtëpi trofeun më të bukur e më të rëndësishëm për klube në Europë, por rëndësi ka që për një komb të tërë si Italia ekziston krenaria që më në fund futbolli italian është kthyer në majë, aty ku gjithmonë e ka pasur vendin.
Inzaghi apo Pioli, Lautaro apo Leao, Onana apo Maignan, Tonali apo Barella, Curva Nord apo Curva Sud, “Parajsa” apo “Ferri”, këtë nuk e dimë, deri në sinjalizimin e fundit të ndeshjes së dytë mes tyre./ h.ll/abcnews.al