Derbi i Italisë, Inter-Juventus: “Zonja e vjetër” “troket” në derën e San Siros, zikaltërit i presin me mbi 60 mijë tifozë

schedule10:35 - 18 Mars, 2023

schedule 10:35 - 18 Mars, 2023

Nga Hergi Llupi

Inter-Juventus, data 19 mars, ora 20:45, stadiumi “San Siro”

Pas disa muajsh plot ngjarje të ndryshme që kur u takuan për herë të fundit në nëntor, rivalët e vjetër Inter dhe Juventus do të përballen të dielën në Serie A në derbin e 180 të Italisë.

Të dyja skuadrat përparuan në Evropë këtë javë, por Interi kryeson Juventusin në Serie A me një diferencë të madhe në rendtije pas dënimit që “Zonja e Vjetër” pësoi dhe ka mbajtur epërsinë në takimet e fundit. Edhe pse Juventus fitoi derbin e fundit të Italisë në vjeshtë me rezultatin 2-0, zikaltërit kanë qenë vendimtar në përballjen mes tyre kur bëhet fjalë për diçka të rëndësishme, ashtu siç ndodhi në vitin 2021 ku Interi fitoi Superkupën dhe Kupën e Italisë në finalet përballë bardhezinjve.

Shpresa për kreun e Serie A është zhdukur për të dyja palët, pasi është Napoli ai që kryeson Italinë me një diferencë të madhe pikësh. Duke marrë në letër 5 ndeshjet e fundit që secila nga dy skuadrat ka bërë në të gjitha kompeticionet, Juventus është më në formë se djemtë e Inzaghit. Në 5 sfidat e fundit, zikaltërit kanë mundur të marrin 2 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje, ndërsa Juventus 4 fitore dhe 1 humbje, ajo ndaj Romës më 5 mars.

Ajo që ka më shumë rëndësi, përveç formës fizike të lojtarëve nga të dyja anët, është edhe gjendja psikologjike që kanë. Inter vjen i motivuar pas atij kualifikimi në mesjavë ndaj Portos në Portugali, ku i siguroi Interit çerekinalet e Champions League, të cilët do të përballen me një tjetër klub portugez, atë të Benfikës. Nga ana tjetër, Juventus është gjithashtu në të njëjtën gjendje psikologjike, pasi edhe bardhezinjtë arritën të kalonin në çerekfinalet e Europa League, ku gjithashtu do të ndeshen ndaj një klubi portugez, kundër Sporting.

Interi e ka vendosur të gjithë peshën e ekipit te Lautaro Martinez, argjentinasi i cili ka qenë vendimtar për zikaltërit këtë sezon, sidomos pas Kupës së Botës në Katar. Nuk duhet hequ vëmendja as nga Andre Onana, portieri kamerunas i cili po kalon një formë të shkëlqyer me zikaltërit, ku ishte ai që e shpëtoi Interin në minutat e fundit të sfidës ndaj Portos në Champions League.

Juventus, nga ana tjetër, ka një ekip komplet të ringjallur dhe me një dëshirë të madhe për të rikuperuar ato 15 pikë të hequra. Di Maria dhe Rabiot janë ata dy lojtarë që kanë menduar pothuajse në çdo ndeshje për bardhezinjtë, duke qenë tepër vendimtarë për 90 minuta.

Lajm i keq për Inzaghin përpara kësaj sfide të jashtëzakonshme është se do të bëjë në mbrojtje pa Alessandro Bastoni, i cili pësoi një dëmtim muskular në ndeshjen ndaj Portos, por gjithashtu as Gosens nuk do të jetë në disapozicion. Frikë edhe për Skriniar, i cili ka ndjerë përsëri shqetësime edhe pse u aktivizua për disa minuta në “Da Drago”.

Nga ana tjetër, Allegri e vuan prej kohësh çështjen e mungesave. Të paktën të dielën, nuk do të ketë nën urdhërat e tij Alex Sandron, Bonuccin, Ihattaren, Kaio Jorge, Kean, Milik, Peeters dhe Pogba. Lajm i mirë është se Vlahovic dhe Chiesa do të jenë në gjendje të ndihmojnë ekipin drejt një suksesi të mundshëm ndaj Interit.

Inter aktualisht ndodhet në vendin e dytë me 50 pikë, ndërsa Juventus në vendin e shtatë me 38 pikë, pra një diferencë e konsiderueshme pas dënimit që pësoi klubi torinez./ h.ll/abcnews.al

Formacionet e mundshme:

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!