Deputetja e zgjedhur shqiptare në Mal të Zi, nga partia PDS, Drita Llolla deklaroi se fitorja e “Europa Tani” në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, është risi për vendin, pasi kjo forcë politike u themelua një vit më parë.
Në një intervistë për ABC News, Llolla u shpreh se PDS ende nuk ka vendosur se me cilën parti do të bëjë koalicion.
Llolla nënvizoi se Mali i Zi ka nevojë për një shumicë të qëndrueshme në parlament.
“Interesante do të jetë kjo periudhë, duke qenë se, forca e re quhet “Europa Tani”, ka disa tone disonante brenda lëvizjes së saj, nuk ka një prapavijë siç ka PDS me një fokus të qartë në politikën euro-atlantike të Malit të Zi, por shpresojmë që kjo risi të sjellë edhe zhvillime pozitive për Malin e Zi. Kemi kaluar një periudhë krize me rënien e dy qeverive nga viti 2020, kur ishin zgjedhjet parlamentare. Shpresojmë të kemi një ndryshim për mirë. Pritet që gjeneratat e reja të sjellin kulturë më të mirë politike.
Këtë nuk mund ta themi ende, pritet që ata të dalin me qëndrim të unifikuar. Si forcë që mori shumicën, ka përparësi, edhe pse kjo është e drejtë e presidentit për t’ia dhënë mandatin për të krijuar qeverinë. Pritet që të shihet në vijim se cili do të jetë qëndrimi i tyre. Qëndrimi i PDS është i qartë, ne jemi të bindur që Mali i Zi ka nevojë për një shumicë të qëndrueshme në parlament”, theksoi ajo./abcnews.al