AAK mbështet futjen e PDK-së në qeverinë e Kosovës. Pal Lekaj, ish-ministri i infrastrukturës dhe deputet i AAK-së, partisë së Ramush Haradinajt, konfirmon për emisionin “Ballkan” në Abc News se kjo parti mbështet riformatimin e qeverisë dhe futjen në të, të PDK-së, partisë së drejtuar nga Kadri Veseli.
“Si Aleancë, ne i themi po zgjerimit të qeverisë dhe të komunikojmë me PDK-në që të jetë pjesë e qeverisë. Prandaj, me këtë them që Aleanca nuk del prej qeverisë. Ne si AAK e kemi ofruar kandidatin për president të vendit, që është zoti Ramush Haradinaj, dhe mendoj që nuk bëjmë kompromis në lidhje me këtë” tha ai.
Por a ka AAK një kandidat për president? “Ne e kemi ofruar kandidatin për president që është Ramush Haradinaj dhe nuk bëjmë kompromis me askënd. Nëse është e nevojshme edhe dalim nga qeveria, por vendi duhet të shkojë në zgjedhje” tha ai.
I pyetur nëse mendon se do të ketë arrestime në shkallë të gjerë nga Haga, ai tha se “Sa i përket veprimit të Speciales, mendoj që veprimi i tyre ka qenë i pamatur, i pamenduar mirë, se cdo ftesë që është bërë, janë përgjigjur pozitivisht, nuk mendoj se i kontribuon paqes në Kosovë, duhet të kemi kujdes, sepse Kosova ka dëshmuar se e përkrah drejtësinë. Ka qenë spektakolare e panevojshme, nëse veprohet me gjëra të tilla spiralja nuk do të ndalet, do të përkeqësohet gjendja” tha ai.
Në fund të intervistës ndalur te investimet, që pritet që të bëhen në Ballkan, ai tha se traseja e hekurudhës mes Shqipërisë dhe Kosovës do të shkojë paralel me rrugën e kombit./ db/Abcnews.al