Presidenti Aleksandër Vuçiç ka pritur anëtarët e Listës së Serbe në Beograd. Ai ka diskutuar me deputetët kosovarë lidhur me taksën prej 100%, të vendosur nga qeveria e Prishtinës për mallrat serbë. Sipas asaj që raportohet nga mediat serbe, Vuçiç u ka kërkuar atyre që të vazhdojnë me protestat paqësore.
“Situata nuk është aspak e lehtë, çdo gjë varet nga vullneti i Prishtinës dhe nëse do të respektojnë ligjin apo jo”, u shpreh ai.
Më tej, Vuçiç tha se do të vijojë të ankohet tek bashkësia ndërkombëtare lidhur me masat e Prishtinës që dëmtojnë paqen dhe stabilitetin në rajon. Presidenti serb theksoi se shpreson se komuniteti ndërkombëtar do të ketë fuqi të mjaftueshme dhe arsye të mjaftueshme për të bërë një presion të madh mbi qeverinë e Kosovës. Ndër të tjera Vuçiç nënvizoi se Kosova dhe Serbia nuk janë afër arritjes së marrëveshjes përfundimtare për pajtim./abcnews.al