Deputetët “memecë” dhe të bindur, Hajdari: Ja pse Rama i shmanget votimeve të akteve normative

schedule20:43 - 6 Korrik, 2021

schedule 20:43 - 6 Korrik, 2021

Ekspertët i bien kambanës së alarmit, për monopolizimin e procesit të ligjbërjes në vend. Ata shpjegojnë për “Vetting” mekanizmat e dyshimta e invalidë përmes të cilave deputetët vendosin me konformizëm të propozojnë e miratojnë risi ligjore, që në vend të rregullit krijojnë kaos e hapësirë për afera korruptive.  Si i shmanget kryeministri thuajse 80 përqind të votimeve në Kuvend, dhe pse juristët kërkojnë zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës. Nga Ligji për lojërat e Fatit tek Aeroporti i Vlorës, ekspertët shpjegojnë pse Kushtetuesja  duhet të shqyrtojë sinjalizimet e Transparency International për ligjet me porosi. Në “Vetting” shqyrtohen komisionet ligjore gjysmake , deri edhe me elementë të listës së zezë të SHBA-ve si dhe paralajmërohet  nga juristët ndëshkimi për deputetët e përfshirë në ligjet e dyshimta.

…………………………….

Të bindur dhe jo të aftë teknikisht, është kjo sjellja e deputetëve shqiptar që sipas ekspertëve, “u shtron” rrugën kalimit të ligjeve të dyshimta në Kuvend. Edhe  përgjatë vitit 2021 ata nuk kanë nxjerrë problematika në votimet e projektligjeve. Për këtë periudhë, Qeveria aktuale ka në programin e saj analitik 86 projektakte të propozuara përmes ministrive përkatëse.  Për kalimin e tyre në Kuvend,  votat e deputetëve të maxhorancës i kalojnë të 70-tat duke bërë të mos ndihet as mungesa e kryeministrit Edi Rama gjatë procesit.  Prania e tij në këto seanca, nuk është e detyrueshme ligjërisht dhe duket se ai nuk e ka lënë të pashfrytëzuar këtë hapësirë. Mosprezenca në shumicën e votimeve të projektakteve, është një “huq” i trashëguar prej tij nga vitet parardhëse.

Kështu, në vitin 2019, Instituti i Studimeve Politike konstatoi se kreu i Qeverisë nuk mori pjesë në 4/5-tat e votimeve. Këtë stepje të kryeministrit, deputetja ende në detyrë Rudina Hajdari e shikon si të qëllimshme, veçmas në rastet e shmangies së ligjeve të dyshimta.

Mirëpo nëse flasim për aspektin jojuridik, Rama zgjedh të jetë më pranë popullit. Vetëm gjatë një sesioni, ai mban fjalime thuajse në gjysmën e seancave në Parlament.

Me pjesëmarrjen apo jo të kryeministrit, vitet e fundit Parlamenti ka pasur fluks punimesh legjislative, ku vetëm gjatë periudhës 2015-2019, janë miratuar mesatarisht 268 akte ligjore në vit.

Si një nga vitet më impenjative për deputetët si miratues, ka qenë viti pandemik 2020, ku vetëm në sesionin e 6-të kanë kaluar 115 ligje. Sa i përket efikasitetit të deputetëve si ligjbërës, gjatë këtij viti vetëm 6 iniciativa legjislative të ardhura prej tyre u miratuan, nga 18 të paraqitura gjithsej. Ndonëse 2 përqindëshi i arritur, duket si një numër i papërfillshëm, kjo është një nga periudhat më aktive për ligjbërësit tanë.

Ndaj nevojës për të propozuar, amenduar dhe diskutuar mbi këto iniciativa ligjore, si një nga detyrat primare të deputetëve, ata zgjedhin të heshtin. Kjo siç shpjegojnë ekspertët edhe për shkak të mosnjohjes së aspekteve ligjore, Kushtetutës e Rregullores së Parlamentit, por mbi të gjitha për të mos “krisur” raportet e mira, me krerët e partive.

Sipas studimeve të ISP, vitet e fundit janë afro 30 përqind e deputetëve që nuk flasin në Kuvend. Disa prej tyre madje siç konstatojnë ekspertët, qëndrojnë të heshtur edhe në komisionet Parlamentare.  Sjellja manekine e tyre, me emrat e rinj që mësyjnë në shtator, duket se nuk do të frenohet. E kjo është edhe një tjetër pasojë e Reformës Zjedhore, që siç thotë Hajdari, mbetet ende e pakonsoliduar.

Abstenimi nga çdo lloj iniciative apo debati politik, lidhet në mënyrë të pashmangshme edhe me formimin e tyre, e kjo është reflektuar edhe në rastet kur ndonjë deputet “anonim” është shprehur në Kuvend.

Niveli i këtyre diskurseve, i pakrahasueshëm qoftë edhe me ndonjë  vend fqinj, frenon zgjedhësin shqiptar të ketë pritshmëri apo të kërkojë llogari tek këta deputetë për përmirësimin e jetës në sektorë të caktuar përmes ligjbërjes. Është e qartë, se për këtë pikë, ku rreh edhe detyra e deputetit, do të ishin dashur, ekspertë  e intelektualë, të cilët për një arsye apo tjetër, nuk kanë qenë në shijet e kryetarëve./ Abcnews.al