Deputetja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi ka dorëzuar në Kuvend projektligjin për ndarjen territoriale. Në një deklaratë për mediat, Çupi u shpreh se prop0zitem janë bërë duke marrë parasysh interesin e qytetarëve.
Sipas projektligjit të propozuar nga kjo pjesë e deputetëve të PD-së, nga 61 bashki që janë aktualisht kërkohet shtimi i 33 të tjerave. Sipas Çupit, kjo kërkesë është bërë për të mbrojtur interesat e qytetarëve, pas konsultimeve në të gjithë vendin.
“Është bazuar në kërkesat e qytetarëve, jemi munduar që çdo kërkesë e tyre të merret parasysh. Janë 33 bashki shtesë që mbrojnë interesat e qytetarëve, dhe janë kërkuar gjatë konsultimeve me qytetarët në të gjithë vendin. Kemi qenë në zona rurale, zona urbane. Mendojmë se ky projektligj përfaqëson interesat e qytetarëve shqiptarë.”
Ndërsa, e pyetur rreth pritshmërive që kanë nga deputetët socialistë që janë në komision për miratimin e projektligjit me votat e nevojshme, bashkëkryetarja e Komisionit te Reformës Territoriale, Dhurata Çupi theksoi edhe një herë se ndryshimet janë në interes të qytetarëve.
Po ashtu ajo solli në vëmendje se ndryshimet janë ngritur me konsensus të të gjitha forcave politike.
“Uroj që t’i thërrasin mendjes dhe arsyes dhe të miratojmë një reformë për të mirën e qytetarëve.” /abcnews.al/