Depresioni tabu në Shqipëri, historia e 21 vjeçares dhe opinioni paragjykues

schedule14:23 - 1 Qershor, 2019

schedule 14:23 - 1 Qershor, 2019

Numri i personave me depresion në Shqipëri është në rritje. Edhe pse konsiderohet ne opinion një çështje tabu, specialistët thonë se ndërgjegjësimi ka filluar. ABC Neës ju sjell historinë e një 21 vjeçareje dhe sfidat me opinionin paragjykues.

Depresioni është një kurth nga i cili është vështirë të dalësh, por nuk është e pamundur. E thotë kjo 21- vjeçare nga një fshat i Tiranës, ndërsa ka buzëqeshjen e fitores.

“Ndonjëherë shkaku është një gjendje shpirtërore, jo arsye të tjera si problemi vetë. Thjesht ti e çon vetën në depresion. Më shumë ishte shkolla dega që pëlqeja nuk e kapja dot dhe u ndjeja e padobishme,  nuk isha e aftë për asgjë, mendoja vetëm keq, nuk doja t’ia dilja, nuk kisha fuqi as të luftoja”.

Gjykimi i opinionit është një peshë që e mbart edhe sot, së pari për të mos u identifikuar, qoftë edhe duke shmangur psikologun.

“Mentaliteti i shqiptarëve, ok ke shkuar te psikologia, çfarë problemi ka kjo, kalon në tema të tjera dhe kështu nuk shkova te psikologia”.

Depresioni vazhdon të jetë një temë tabu në shoqërinë tonë, edhe mes më të rinjve.

“Jo, deri më sot jo.”

“Në fakt njerëzit jetojnë me depresion”.

Tabuja vijon edhe me marrjen e ndihmës tek psikologu. Edhe vetë ideja duket e papranueshme.

“Këtu te ne psikologët janë të rrallë. Nuk e kemi atë kulturë”.

Depresioni është një gjendje që nuk kursen askënd e vjen në rritje sipas specialistëve. Psikiatrja Arjana Rreli thotë se ndërgjegjësimi gjithashtu në rritje, po e tejkalon tabunë e kontrollit të specializuar.

“Një episod depresiv mund t’i ndodhë 1 në 7 personave gjatë jetës së vet, dhe kjo haset rëndom në popullatë”.

Hapi i parë sipas mjekes është që të pranosh se depresioni është një problem.

“Ndërhyrjet bëhen më të shpejta, shkurtohet koha e vuajtjes së individit dhe rezultatet merren në kohë duke  parandaluar komplikacionet dhe invadilizimin e personit që ndodh kur nuk trajtohet në rregull dhe nuk kapet në kohën e duhur”.

Një anketë e udhëhequr nga Instituti i Shëndetit Publik dhe INSTAT te 15,800 persona në vitin 2018 gjeti se shqiptarët vuajnë rëndë nga shëndeti mendor. Gati 60- 70% e të anketuarve kishin kaluar një përvojë depresioni dy javë para anketës, teksa 18% e grave dhe 13 % burrave ishin në depresion gjithë kohës. /ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!