Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka dhënë një deklaratë për mediet pas depozitimit në SPAK të provave për dosjen e privatizimit të Kompleksit Partizani.
Ai ka depozituar në SPAK prova të reja ditën e sotme dhe përmes një postimi në Facebook deklaroi se “kush mendon se kemi hequr dorë nga akuzat tona gjatë kohës kur ishim në opozitë, e ka shumë gabim.”
Përpara gazetarëve ai tha se SPAK ka ecur me hetimin dhe i bëri thirrje drejtësisë së re që t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje.
Balla: Mendoj që për drejtësinë kjo çështje është shumë e qartë dhe shpresoj që drejtësia e re do t’i shkojë deri në fund. Nuk e di në çfarë fazë ishin hetimet, pyesni Prokurorinë. Ajo që di unë është se as kam hequr dorë dhe as kam për të hequr ndonjëherë dorë. U bënë 10 vite që kur e kam ngritur këtë çështje dhe sot isha këtu për të vënë në dispozicion dokumentet. E vlerësoj faktin që SPAK ka ecur mjaft mirë në hetimin e kësaj çështjeje. Në krye të kallëzimit tim është ai që ka qenë kryeministër i Shqipërisë në atë kohë dhe familjarë të tjerë të tij, të cilët në ushtrimin e ndikimit të paligjshëm kanë përvetësuar një pronë. Aty ka plot elementë siç është falsifikimi ushtrimi i ndërtimit të paligjshëm. Unë mendoj se kuptova që punë ishte bërë, kaq mund tu them.
/Abcnews.al/