Deportimi i Harun Çelik, çfarë përmban kërkesa e avokatëve për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit

schedule14:30 - 7 Janar, 2020

schedule 14:30 - 7 Janar, 2020

Avokatët e shtetasit turk Harun Çelik i kërkojnë informacion ministrisë së brendshme dhe policisë së shtetit,  mbi procedurat e dërgimit të tij në Turqi. Shqetësues është fakti se të njëjtin fat mund të ketë edhe një tjetër mbështetës i lëvizjes gyleniste i ndaluar në Tiranë, mik i mësuesit turk Harun Çelik.

Deportimi i mësuesit Turk Harun Çelik nga autoritetet shqiptare, ka ngritur një sërë dyshimesh për zbatimin e procedurave ligjore. Avokatet e 42 vjeçarit Alban Bregasi dhe Elton Hyseni i kanë dërguar një kërkesë ministrisë se brendshme dhe policisë se shtetit për informacion lidhur me deportimin e Harun Çelik drejt Turqisë në datën 1 janar.

Përmes kësaj kërkese avokatët e Çelik kërkojnë informacion zyrtar nga këto institucione shtetërore, nëse bëhet fjalë për deportim apo dëbim nga autoritetet shqiptare. Avokatët i thanë ABC News se nëse kemi të bëjmë me deportim atëherë mësuesi 42 vjeçar duhet të ishte dërguar nga policia e emigracionit në Kosovë, pasi 42 vjeçari kishte ardhur në Tiranë nga ky shtet, me destinacion final Kanadanë.

Ndërsa deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Çelik ishte arrestuar ne 8 korrik 2019 ne Rinas teksa tentonte të largohej me vizë të falsifikuar drejt Kanadasë. Pas gjykimit me procedure të përshpejtuar dhe dënimit me 8 muaj e 20 ditë burg, në aplikim edhe të uljes së 1/3 së dënimit, ai kreu dënimin prej 5 muaj e gjysmë burg.

Për ABC News avokatët janë shprehur se klienti i tyre nuk ishte as i dënuar dhe as i kërkuar zyrtarisht nga drejtësia turke. Por miqtë e tij janë shprehur për ABC Neës se mësuesi turk,  kërkohej në vendin e tij që pas grushtit të dështuar të shtetit.

Në fakt dëbimi i 42 vjeçarit ka ngritur një sërë dyshimesh për procedurën e ndjekur dhe mos transparencën për këtë çështje. Por fatin e mësuesit turk Harun Çelik mund ta ketë edhe miku i tij Selami Shimshek.

Ai  do të përballet me gjykatën e Tiranës me 13 janar ku do të vendoset fati i tij nëse çështja do të kalojë për gjykim apo do të kthehet për hetim në prokurori. Ai  është ndaluar në Rinas në të njëjtën ditë me Çelik dhe ka pasur vizë kanadeze të falsifikuar.

Por deri tani ka qenë në paraburgim dhe për të ka vazhduar hetimi.

Prokurorja Anila Galanxhi, që ka nën hetim çështjen e  Shimshek, ka ngritur ndaj tij akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Gjyqtari i seancës paraprake është Ahmet Metalia që do të vendosë për fatin e Selami Shimshek. Avokatët i thanë ABC News se po bëhen gati për t’i paraprirë çdo lloj situate./abcnews.al