Denoncimi në “Stop”, shkarkohet drejtoresha e DAR Tiranë

schedule12:03 - 5 Shkurt, 2019

schedule 12:03 - 5 Shkurt, 2019

Drejtoresha e Drejtorisë Arsimore Rajonale Tiranë, Arjola Byzyka u shkarkua nga detyra pas transmetimit të një rasti skandaloz nga emisioni “Stop” në TV Klan. Një gjimnaz privat në Tiranë ushtronte aktivitetin dhe lëshonte dëftesa me vulën e DAR dhe të Ministrisë së Arsimit, ndonëse me urdhër të kësaj ministrie ishte mbyllur dy vjet më parë.

Pas transmetimit nga emisioni “Stop” në TV Klan të një investigimi për një shkollë private në Tiranë që lëshonte diploma edhe 2 vjet pasi ishte mbyllur me urdhër të Ministrisë së Arsimit është shkarkuar nga detyra, drejtoresha e Drejtorisë Arsimore Tiranë, Arjola Byzyka.

Shkolla  e mesme ishte mbyllur në 2016-n me urdhër nga Ministria e Arsimit, por punonte e jepte diploma me vula të DAR e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit edhe pse ishte pa licensë. Drejtori i shkollës shpjegon situatën.

Drejtori: Dëgjo tani absurdin tjetër!  Vazhdo 2016-2017, vazhdo 2017-2018 dhe fillo 2018-2019 dhe maturantët në të gjithë Shqipërinë, se janë diploma  dhe çertifikata e notave tani. Diplomat e nxënësve të kësaj shkolle, kanë ardhur me vulë dhe me firmë…
Gazetarja: Nga Drejtoria Arsimore?
Drejtori: Edhe nga Ministria e Arsimit.
Gazetarja: Ndërkohë që ishte vendimi i mbylljes.
Drejtori: Pika 2 thotë, që për ekzekutimin e këtij urdhri, ngarkohet sekretari i përgjithshëm, drejtoria arsimore dhe subjekti. Subjekti s’ka pas interes dhe subjekti e ka hedh në gjyq.
Gazetarja: Shkolla është pa liçensë, unë do vija në diskutim, do më njihet ky vit shkolle, apo s’do më njihet?
Drejtori: Me shumë të drejtë, edhe ne jemi, paskemi rezultuar, se kemi qenë në një vend të pa liçensuar.  Po s’e kem dit.
Gazetarja:Nuk e keni ditur ju si staf këtë?!
Drejtori: Ku ta dinim ne?!
Drejtori: Për shembull, vjet kam komunikuar me Dar-in , me evidencat, të gjitha ia kam çuar Dar-it dhe me datën 17 korrik ka ardhur inspektorja e Dar-it, na ka kontrolluar.
Drejtori: Me datën 17 (dhjetor) me thirri Arjola mua, ma kaloi në kompjuter dhe unë aty për herë të parë e shihja. Më tha: pronari jot e ka këtë njoftim. I thashë: nuk e di. Ma dha mua me numër 460 datë 8.9.2016. erdha e pyeta, po zotëria e kishte.
Gazetarja: Pra ju nga 2016 deri më sot keni shpërndarë dëftesa me vulë dhe me firmë nga DAR dhe Ministria e Arsimit?
Drejtori: Absolut!
Gazetarja: Paralelisht me këtë vendim për mbyllje?
Drejtori: Po! Paralelisht!

Në Dhjetor 2018 pas ankimeve të bera në Ministrinë e Arsimit, Inspektoriati Shtetëror Arsimor është vënë në dijeni se gjimnazi “Skënderbej” ushtronte veprimtarinë në mënyrë të palicensuar. Një kontroll i ushtruar nga ky inspektoriat vërtetoi këtë rast skandaloz dhe i përcolli të dhënat ministrisë. Sipas drejtores së Arsimit në Tiranë:

Arjola Byzyku: Por gjithë situata që ne zbuluam është se zotëria ka një licencë aktive për një shkollë profesionale, gjimnaz dhe kjo ka qenë e gjithë problematika që është krijuar. Përmes licencës së gjimnazit profesional ai ka mashtruar qytetarët. Qytetarët janë vënë në dijeni nga DAR për këtë shkelje të zotërisë dhe menjëherë pas evidentimit të situatës kemi bërë veprimet tona, kemi bërë denoncimin në Policinë e Shtetit gjithashtu edhe në drejtorinë e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit për këta qytetarë të cilët i ka marrë në shkollë në kohë të ndryshme, madje edhe rishtazi së fundmi, janë veprime të paligjshme, për këtë arsye pezullimi i menjëhershëm i aktivitetit mësimor të pretenduar është kryer dhe është bërë menjëherë denoncimi në organet e policisë pasi bëhet fjalë për një mashtrim shumë të rëndë nga ky subjekt./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!