Edhe pse buxheti 2019 nuk ishte pjesë e parashikuar e diskutimeve në parlament, ministri Ahmetaj edhe deputeti Ervin Bushati, kohën e rezervuar për diskutim të rendit të ditës, e shfrytëzuan për t’i dhënë një përgjigje demokratëve që përmes Jorida Tabakut vetëm një ditë më parë denoncuan skemën e partenriteti publik privat në kuadër të diskutimit të buxhetit 2019.
Deklarata e një dite më parë e nënkryetares së Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku e cila denoncoi buxhetin 2019 dhe koncesionet e partneritetit publik privat si në favor të oligarkëve, solli jo një, por dy reagime nga foltorja e parlamentit.
Bushati: Është e papërgjegjshe mënyra se si opozita del e mban deklarata,
Ahmetaj: Është çështja e projekteve PPP
Bushati: Opozita nuk ka qënë e pranishme. Jep opinione për ligje që as nuk i ka lexuar.
Ahmetaj: Ju referua një shifre për koncesionet e PPP tha është mbi 2 miliardë euro dhe këto rëndojnë mbi qytetarët, tani unë po i marr një për një.
Përgjigjen Ministri i Ekonomisë dhe Financave e artikuloi në formë pyetjesh.
Ahmetaj: Çfarë keni me dibranët që nuk doni t’i bëhet Rruga? Çfarë keni me kuksianët, me shkodranët që nuk doni t’u bëhet Rruga? Kë urreni? Shkodrën që nuk ju dha 7 vota? Lezhën që nuk ju dha 5 vota. Nuk i meritonit. Çfarë keni me të sëmurët e dializës që doni t’i bëni të vuajnë përtej vuajtjes që kanë. Çfarë keni ju të opozitës?.
Kur populizmi u davarit, Ahmetaj iu referua problemit të denoncuar nga demokratët.
“Keni probleme të procedurës dhe kostos, aty i keni letrat, do shihen sot, nesër dhe ndër vite. Një procedurë totalisht transparente. Rruga e Arbrit është PPP, do bëhet, me paratë e buxhetit do bëhej pas 20 viteve”.
Konçesionet e Partneritetit Publik-Privat janë investime publike në favor të qytetarëve, pa shpenzuar asnjë lek nga buxheti i shtetit, thekson Ahmetaj.
“Po do ta paguajë buxheti për 13 vjet, patjetër”.
Për një gjë bien dakort mazhorancë – opozitë, dokumentat e procedurave transparente sipas rilindjes, korruptive sipas demokratëve, janë aty dhe mund të kontrollohen ndër vite. /abcnews.al

