Dënohen 3 gjyqtarët e Durrësit

schedule17:03 - 29 Tetor, 2019

schedule 17:03 - 29 Tetor, 2019

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur të dënojë 3 gjyqtarët e Durrësit, Petrit Çeno, Klinton Spahiu dhe Petraq Dhimitri. Gjyqtarët u dënuan me nga 3 vite burg. Të tre gjyqtarët do të përfitojnë ulje me 1/3 e dënimit, për shkak të përfitimit të gjykimit të shkurtuar.

Ndërsa për biznesmenin Namik Sadik gjykata vendosi ta dënojë me 1 vit burg, nën akuzën e korrupsionit aktiv. Gjykata e Krimeve të Rënda gjithashtu dha dënim plotësues për gjyqtarët, sipas të cilit, ata nuk mund të ushtrojnë funksione publike për 3 vite.

Gjithsesi gjyqtarët do të vazhdojnë betejën në Apel, pasi vendimi i Gjykatës së Shkallës së parë nuk është i ekzekutueshëm.

Sipas akuzës, biznesmeni durrsak Namik Sadik kishte sponsorizuar udhëtime jashtë vendit për gjyqtarët, ku Sadik ishte palë në një proces civil që po shqyrtohej nga ata.

Organi i akuzës si prova, radhiti udhëtimet në të njëjtën kohë të tre gjyqtarëve me biznesmenin në Itali dhe Spanjë. Gjithashtu edhe prerjen e biletave të udhëtimit në të njëjtën kompani, së bashku me akomodimin.

Në bazë të hetimeve, gjyqtarët kanë udhëtuar për të ndjekur ndeshjen mes Real Madridit dhe Barcelonës në tetor 2014./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!