Dënimi i Salianjit dhe ‘antishpifja’/ Basha mesazh Ramës: I ke bërë llogaritë gabim!

schedule18:00 - 18 Dhjetor, 2019

schedule 18:00 - 18 Dhjetor, 2019

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar sot për vendimin e Gjykatës së Tiranës për të dënuar me 1 burg ish-deputetin Ervin Salianji. Ky vendim, mbase për koncidencë u dha ditën kur Parlamenti pritet të votojë paketën antishipfje. ” Edi Rama ka hedhur sot në erë dy prej kolonave kryesore të demokracisë në Shqipëri. Sot, ai dënoi me vendim gjykate, pa asnjë provë, opozitën dhe median që zbuluan dhe denoncuan përshirjen në trafikun e drogës të vëllait të Ministrit të brendshëm të Edi Ramës. Po sot, Edi Rama miraton ligjin që synon t’i mbyllë gojën medias online për të mos denoncuar aferat e rënda korruptive të tij dhe të familjes së tij, afera që fusin dorën në xhepat e shqiptarëve për t’i vjedhur ata, në mënyrë që të pasurojnë Edi Ramën”, u shpeh Basha.

Gjatë deklaratës së tij, nga selia e PD-së, Basha akuzoi gjyqtarin se “Artan Gjermeni, i cili dënoi pa prova Ervin Salianjin dhe gazetarin Jetmir Olldashi është as më pak e as më shumë, anëtar i bandës së Lushnjës, e cila ka nisur të gjallërohet sërish nën pushtetin e Edi Ramës.

Për Partinë Demokratike dhe për mua personalisht, nuk ka asnjë dyshim se ushtari i bandës së Lushnjës e kishte marrë prej kohësh vendimin politik që Edi Rama e shpalli prej ditës së parë të publikimit të skandalit Xhafaj. Për ne nuk ka asnjë surprizë për hakmarrjen e Edi Ramës ndaj deputetit Ervin Salianji dhe gazetarit Jetmir Olldashi që ekspozuan qeverinë e tij si të përfshirë direkt në trafikun e drogës”.

Më pas lideri demokrat, iu drejtuar Ramës me mesazhin se nuk ke për t’ia dalë kurrë ti mbyllësh gojën opozitës dhe medias.

“Në këto 6 vjet ne jemi përballur me padrejtësinë dhe hakmarrjen politike të Edi Ramës sa herë kemi denoncuar lidhjet e tij me krimin e organizuar dhe me aferat korruptive. Për pothuajse të gjithë përfaqësuesit politikë të Partisë Demokratike, drejtësia e kapur ka vendosur sipas urdhërit dhe interesit politik të Edi Ramës, duke u bërë palë me këtë pushtet të kriminalizuar dhe të korruptuar.

A na e ka mbyllur gojën dot ne Edi Rama me të korruptuarit dhe kriminelët e tij në polici, prokurori dhe gjyqësor? Jo! Dhe nuk ka për t’ia dalë kurrë!
Ne jemi Partia Demokratike! Ne jemi sot partia që gëzon besimin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve. Bashkë me ta, do të bëjmë të mundur që, me zgjedhje të lira e të ndershme, të shpëtojmë vendin nga një kryeministër që sundon me një grusht kriminelësh dhe oligarkësh.

Partia Demokratike është dhe do të jetë në krahun e çdo gazetari, në krahun e çdo qytetari, që denoncon padrejtësinë, korrupsionin dhe lidhjet e Edi Ramës, familjes apo qeverisë së tij me krimin e organizuar.

Mesazhi im për Edi Ramën është i thjeshtë dhe i qartë: I ke bërë llogaritë gabim!”.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!