Dënimi i Gjicit/ Avokati Hoxha: SPAK u nxitua me akuzën e korrupsionit pasiv, për Uruçin mund të ketë hetime nëse…

schedule23:39 - 7 Shkurt, 2024

schedule 23:39 - 7 Shkurt, 2024

Avokati Arbër Hoxha thotë se Prokuroria e Posaçme (SPAK) u nxitua me procedimin penal ndaj ish kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici, që e akuzoi për korrupsion pasiv.

Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Hoxha u shpreh se në rastin e Gjicit, sipas tij, kemi të bëjmë me kushtet e ndikimit të ligjshëm të mbetur në tentativë.

Hoxha shtoi se mund të nisin hetime ndaj Abedin Uruçit, nëse Gjici do të bëjë kallëzim penal ndaj tij.

“Ne radhë të parë, Prokuroria e Posaçme ka pasur një nxitim kur ka regjistruar procedim penal ndaj zotit Gjici, për shkak se nëse do t’i referohemi anës objektive, nuk ishim në kushtet e korrupsionit pasiv, por as të shpërdorimi të detyrës, për mendimin tim jemi në kushtet e ndikimit të ligjshëm të mbetur në tentativë. Shpërdorimi i detyrës kërkon shkeljen e interesave shtetërore. Sa i përket shtetases Alma Kaçi, nëse jemi në kushtet e prositucionit ose jo, do të diskutohet në një moment të dytë. Nëse do të ketë hetime ndaj zotit Uruçi, në dijeninë time, fjalët e fundit të të pandehurve, pak merret nga Prokuroria e Posaçme ose nga Gjykata e Posaçme.

Nëse zoti Gjici ka elemente, kallëzimi penal është intrumenti me të cilin mund t’i drejtohet Prokurorisë së Posaçme. Gjithë fjalët e fundit të të pandehurve, gjykatës nga njëri vesh i hyjnë dhe nga njeri vesh i dalin”, theksoi ai.

Ish kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici është dënuar me dy vite burgim në lidhje me video skandalin me Alma Kaçin. Gjicit i është rikualifikuar vepra penale dhe u dënua për shpërdorim detyre.

Rikualifikim të veprës penale pati edhe për Alma Kaçin. Ajo u dënua me 1 vit burg për prostitucion./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!