Përjashtimi i Manchester City nga Champions League për dy vite i ka surprizuar të gjithë. Reagimet kanë qenë të shumta dhe nuk ka munguar edhe një koment nga trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp. Gjermani shprehet se i vjen keq për stafin dhe nuk di si ta shpjegojë.
‘’Ishte një shok i vërtetë. E pabesueshme. E vetmja gjë që unë mund të flas është futbolli. Ajo që City ka bërë në fushë është e jashtëzakonshme. Për pjesën tjetër nuk kam informacione dhe nuk mund të flas. Ti u beson njerëzve me të cilët punon. Më vjen keq për Guardiolën dhe për lojtarët,’’ deklaron tekniku gjerman për mediat angleze.
UEFA e dënoi klubin anglez për shkak se Dhoma Gjyqësore zbuloi se Manchester City kishte kryer shkelje serioze të rregulloreve për licencat dhe FPF, duke mbivlerësuar të ardhurat dhe bilancin e klubit mes viteve 2012-2016. Por, City do të ketë mundësinë e apelimit në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë. /abcnews.al