Dëmtohet bulevardi i bujshëm i Durrësit, hiqen gurët dhe pllakat

schedule16:35 - 5 Shtator, 2018

schedule 16:35 - 5 Shtator, 2018

Ndërtimi i bulevardit të Durrësit është shoqëruar me bujë si një nga investimet më të mëdha që po bëhej. Por s’ka kaluar shumë kohë dhe ky bulevard ka tjetër pamje. Gurët dhe pllakat janë dëmtuar.

Gurët dekorativë me të cilën u shtrua bulevardi “Dyrrah” janë hequr e dëmtuar. Gropa në të gjithë gjatësinë e rrugës, ndër më të frekuentuarat në Durrës. Edhe dekoret dhe pllakat e mermerta me të cilat janë shtruar trotuaret gjithashtu janë thyer. Por, ky dëmtim, nuk është i pari në këtë bulevard vetëm 340 metra i gjatë, rehabilitimi i të cilit i kushtoi plot 137 milionë lekë buxhetit të bashkisë.

Cilësia e dobët e punës dhe e materialeve të përdorura bëri që problemet e para të shfaqeshin ende pa u mbushur viti nga rehabilitimi. E që prej atëherë dëmtimet në kete bulevard kanë qenë të shumta dhe të vazhdueshme. Kjo gjendje shqetëson drejtuesit e automjeteve por edhe qytetarët. Ata e cilësojnë absurde që investimet e reja të prishen aq shpejt.

Banori 1: “Cilësia e dobët se ndryshe s’do bëhej ajo punë.”
Banori 2: “Siç duket këto gurët nuk janë të përshtatshëm shumë.”
Banori 3: “Kam punuar në ndërtim, por kur kam parë duke vënë gurët mbi llaç i kam thënë ustait që është gabim.”
Banori 4: “Në Durrsakët jemi vetëm për mikpritje për asgjë tjetër.”

Por, ky nuk mbetet i vetmi investim i ri i dëmtuar në Durrës. Në të njëjtën gjendje me bulevardin “Dyrrah” ndodhet edhe sheshi “Liria” si dhe bulevardi “Epidami”. Edhe këtu, paçka ndërhyrjeve të vogla nga ana e bashkisë, dëmtimet mbeten ende të shumta./abcnews.al