Dëmtimi i stolave në Air Albania, reagojnë Kukësi dhe Tirana: I dënojmë ashpër!

schedule16:55 - 22 Shkurt, 2020

schedule 16:55 - 22 Shkurt, 2020

Thyerja e stolave në Air Albania ishte diçka që nuk do të kalojë pa ndëshkime. Si klubi i Kukësit, ashtu dhe ai i Tiranës, kanë reaguar ashpër kundër tifozëve që kanë bërë veprime të tilla, duke dëmtuar stadiumin kombëtar. Më poshtë, janë dhe reagimet e dy klubeve që u përplasë dje pasdite në Air Albania.

Reagimi i Kukësit:

“Reagim!

Klubi i Kukësit dënon ashpër sjelljen e disa individëve që kanë shkaktuar dëme në stadiumin “Air Albania” duke thyer 19 stola dhe njëkohësisht duke dëmtuar imazhin por edhe financat e klubit. Këto individë, kurrsesi nuk mund të përfaqësojnë tifozerinë tonë e cila ka treguar shpesh herë se është në krah të ekipit dhe nuk e ka dëmtuar por vetëm e ka mbështetur.
Një rezultat negativ nuk është fundi i kampionatit dhe sjellje të tilla, nuk e ndihmojnë aspak skuadrën për të ecur drejt objektivit titull. Klubi i Kukësit mbështet plotësisht organet përkatëse që kanë nisur hetimet për evidentimin e personave përgjegjës të cilët do të marrin edhe ndëshkimin në bazë të ligjit dhe rregulloreve.
Kukësi është i tifozëve dhe i tillë do të mbetet. Individë të veçantë nuk mund të prishin këtë lidhje, sepse mjafton fakti që jemi të detyruar të luajmë larg shtëpisë sonë. Bashkë jemi më te fortë!

Reagimi i Tiranës:

“Klubi i Futbollit Tirana dënon ashpër aktet vandale të disa individëve mes tifozëve të Tiranës që kanë dëmtuar dje një numër të madh stolash në stadiumin “Air Albania”.

Tifozeria bardheblu është pa diskutim një nga asetet më të çmuara që kryeqyteti ka, por të tilla akte dëmtojnë imazhin, klubin, impiantin modern ku po punojmë që futbolli të jetë një festë dhe çdo ditë e më tepër familjarë.

KF Tirana mbështet nismën ligjore të Federatës Shqiptare të Futbollit, për të denoncuar pranë Policisë së Tiranës individët që kanë dëmtuar stadiumin. Materialet filmike do të dënojnë personat përgjegjes për këto shfaqje të shëmtuara, të cilat nuk kanë ndodhur dje për herë të parë, por në të gjitha ndeshjet e fundit në “Air Albania”.

Ftojmë të gjithë tifozët bardheblu ti bashkohen kësaj nisme që i shërben qytetarisë dhe futbollit. Jo vetëm në “Air Albania” por në çdo stadium, aktet vandale nga individë të caktuar nuk meritojne të jenë pjesë e tifozerisë së mrekullueshme bardheblu.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!