Zyrtarët e lartë demokratë po diskutojnë lidhur me një gjykim të mundshëm ndaj presidentit Donald Trump, duke argumentuar se ai nxiti qindra mbështetës të tij të cilët sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan, ngjarje në të cilat u vranë pesë persona.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve po zhvillon një takim virtual me bashkëpartiakët e saj demokratë, lidhur me mënyrat se si do të veprojnë për ta shtyrë përpara planin e tyre për ta larguar Trumpin nga zyra para se t’i kalojë mandati presidencial më 20 janar.
Në këtë mbledhje, AP raporton se Pelosi i ka njoftuar demokratët se ka biseduar me një zyrtar të lartë ushtarak për masat që mund të ndërmerren, që do të parandalonin që Trump në dy javët e fundit të mandatit të tij, të mos ndërmarrë ndonjë sulm, përfshirë edhe sulm të mundshëm bërthamor.
Më herët, demokratja Katherine Clark gjatë një interviste për CNN tha se zyrtarët e lartë demokratë do të takohen të premten për të shqyrtuar mundësitë që ua lejojnë ligjvënësve që të shtyjnë përpara procesin gjyqësor për largimin e Trumpit, proces i njohur me termin “impeachment” më shpejt sesa vitin e kaluar.
“Donald Trump duhet të largohet nga zyra dhe ne do të përdorim të gjitha mjetet që kemi në mënyrë që kjo të ndodhë, për të mbrojtur demokracinë tonë”, tha Clark.
Nëse nënpresidenti Mike Pence nuk e aktivizon amendamentin 25 të Kushtetutës, për t’ia marrë kompetencat e presidentit, “ne do të vazhdojmë me impeachment”, tha ajo.
Pasthirrjeve për largim nga zyra, Trump dënoi dhunën që la të vdekur pesë persona, pasi protestuesit e dhunshëm, mbështetës të Trumpit, sulmuan Kongresin. Në një video të publikuar, Trump bëri thirrje për pajtim dhe premtoi për tranzicion paqësor të pushtetit te presidenti i zgjedhur, Joe Biden.
Shumë demokratë, por edhe republikanë e kanë akuzuar Trumpin se ka nxitur dhunën në Kongres. Senatori republikan, Ben Sassen tha se ai do të mbështeste procesin gjyqësor për largimin e Trumpit nga pushteti.
“Presidenti nuk e ka respektuar betimin që ka bërë”, tha Sasse për CNS, duke shtuar se veprimet e Trumpit, duke nxitur protestuesit “ishin të ligja”.
Teksa mandati i Trumpit është drejt fundit, nuk është e qartë nëse do të ketë kohë që të përfundonte një proces ndaj tij për largimin nga zyra. /REL/