Kolonel Dritan Demiraj, në një intervistë për emisionin “ABC-ja e Mëngjesit”, ka ngritur alarmin për rritjen e tensioneve ndërkombëtare, duke deklaruar se jemi shumë pranë një përplasjeje të mundshme mes Perëndimit dhe Federatës Ruse.
Sipas tij, Bashkimi Europian nuk është i përgatitur për një konfrontim të tillë pa mbështetjen vendimtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Demiraj theksoi gjithashtu rolin e rëndësishëm të deklaratave të ish-presidentit Trump, si dhe ndikimin e aleancave strategjike të Rusisë me vende si India, Kina dhe Koreja e Veriut në prishjen e ekuilibrave gjeopolitikë globalë.
“Jemi shumë afër një përplasjeje, por nuk mendoj se do të ketë një përplasje tani shpejt. Bashkimi Europian nuk është i gatshëm që të përballet me Federatën Ruse në këto kushte që flasim. Ato që kërkojnë për t’u përballur me Rusinë janë shumë të mëdha. Nëse nuk do të kemi një mbështetje të fortë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mendoj se kjo përplasje do të jetë edhe në vijim. Duke analizuar me hollësi disa deklarata që ka bërë në mënyrë të herë pas hershme dhe me të drejtë presidenti Trump, i cili në shumë raste jo vetëm Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, por jo vetëm, të cilat kanë kërkuar dhe janë angazhuar që t’i përfshijnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë konflikt dhe nga ana tjetër nuk kanë fuqi dhe kapacitete për t’u përballur me sukses me federatën ruse. Nuk mendoj se federata ruse ka për qëllim që të pushtojë Europën, sepse nuk mendoj se ka fuqi dhe mundësi për të monitoruar dhe të mbrojtur një sasi të jashtëzakonshme të territorit që ka vetë. Aleancat që po bën me Indinë, Kinën dhe Korenë e Veriut, po bën që të prishë këtë unifikim, pra mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian, por edhe të disa aleatëve të tjerë”, tha Dritan Demiraj./abcnews.al


