Demarkacioni, seancë e jashtëzakonshme në Parlamentin e Kosovës

schedule11:13 - 20 Mars, 2018

schedule 11:13 - 20 Mars, 2018

Parlamenti i Kosovës pritet të mbajë sot një seancë të jashtëzakonshme për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Koalicioni qeverisës i drejtuar nga Kryeministri Haradinaj, pretendon se do të plotësojë 80 votat që duhen për miratimin e demarkacionit.

Parlamenti i Kosovës do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme në përpjekjen e radhës për të miratuar demarkacionin me Malin e Zi. Për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje duhen 80 vota nga 120 deputetë që ka Parlamenti i Kosovës. Por mbetet ende e paqartë nëse koalicioni qeverisës nën drejtimin e Kryeministrit Haradinaj ka arritur të mbledhë votat e duhura.

Megjithëse Haradinaj këmbëngul se me mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga opozita, ka siguruar 78 deri në 79 vota, ndërkaq shpresohet se deri në orën 16.00 të ditës së sotme, kur është parashikuar të nisë seanca, të jetë siguruar edhe mbështetja e një apo dy deputetëve tjerë në mënyrë që të plotësohet numri i nevojshëm i votave për ratifikimin e demarkacionit.

Gjatë këtij viti, në tri raste Kuvendi i Kosovës është mbledhur në seanca plenare për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, por nuk ka arritur të kalojë në procedurën e votimit, për mungesë të votave për ratifikimin e marrëveshjes.

Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në Gusht të vitit 2015 në Vjenë. Ndërkohë, Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje.

Ratifikimi i kësaj marrëveshje, mbetet kushti i parafundit i vendosur nga Komisioni Europian për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!