Përfaqësuesit e Ukrainës dhe Rusisë këtë të martë pritet që të zhvillojnë raundin e radhës së bisedimeve për gjetjen e një rruge të përbashkët për vendosjen e paqes. Mediat e huaja raportojnë se delegacionet e dy vendeve kanë arritur tashmë në Stamboll të Turqisë, sipas The Guardian.
Delegacioni i Ukrainës udhëhiqet nga ministri i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, dhe Mikhail Podolyak, këshilltari presidencial.
Ndërkohë Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan u është drejtuar delegatëve përpara fillimit të bisedimeve. Erdogan e ka cilësuar Presidentin Vladimir Putin dhe Presidentin Volodymyr Zelenskiy si “miq të vlefshëm”.
Ai ka thënë gjithashtu se përparimi në bisedimet që po mbahen sot në Stamboll mund të hapë rrugën për një takim midis dy liderëve të Ukrainës dhe Rusisë, të cilin Turqia është gjithashtu e gatshme të presë takimin e ardhshëm.
Presidenti turk u tha gjithashtu ekipeve ruse dhe ukrainase se të dyja palët kanë “shqetësime legjitime”, por se kemi arritur në një moment kur bisedimet duhet të japin rezultate konkrete.
“Në një moment kaq kritik, ne jemi të lumtur t’ju mirëpresim dhe të kontribuojmë në përpjekjet tuaja për të vendosur paqen,” tha ai, duke shtuar: “Uroj që takimet dhe diskutimet tona të jenë të favorshme për vendet tuaja, rajonin tonë dhe të gjithë njerëzimin.”
Ai bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm duke theksuar se ndalimi i tragjedisë varet nga të dyja palët.
/abcnews.al