Deklaratat e Palmer, Shalsi: Foli qartë, qeveria është legjitime

schedule19:58 - 9 Prill, 2019

schedule 19:58 - 9 Prill, 2019

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, komentoi nga studio e ABC News, deklaratat qëë bëri zëvendësndihmës sekretari i Shtetit, Matthew Palmer këtë të martë. Ai theksoi se qëndrimi i SHBA në mbështetje të Shqipërisë nuk është lëkundur asnjëherë. Sot sipas Shalsit, Palmer, njohur reformat dhe dha mesazhe inkurajuese për qeverinë.

“Ne nuk mund të themi asnjë gjë më shumë nga ajo që kanë deklaruar miqtë tanë të nderuar dhe Palmer ishte i qartë tek mesazhet që përçoi. Ai nuk gjendet në Shqipëri për të zgjidhur krizën politike. Ai është këtu për rajoni, për Shqipërinë për raportet mes fqinjëve në Ballkan, është për të inkurajuar Shqipërinë dhe për të përforcuar qëndrimin e SHBA në lidhje me situatën gjeopolitike në Ballkan po pse jo edhe të deklarojë qëndrimin e qeverisë amerikane për sa i takon rajonit.

Ka folur qartë. Besoj se për çdo shqiptar qëndrimi i SHBA nuk është lëkundur në asnjë rast në mbështetje të Shqipërisë. Dëgjuam komentet e tij dhe për situatën politike. Tregoi qartë që qeveria është legjitime dhe nuk është diplomati i parë dhe i fundit që do thotë diçka të tillë. Dha mesazhe inkurajuese për qeverinë. Njohu reformat. Ne jemi koshientë sa shumë kemi për të bërë. Ndërkohë mesazhet për opozitën ishin shumë të qarta. Për demokracinë, betejat janë në parlament dhe nuk i duhet hequr mundësia popullit për të votuar alternativat. Parlament legjitim, qeveri legjitime dhe nuk është përgjegjësi e mazhorancës për sjelljen apo për vendimin ekstrem për largimin nga parlamenti i opozitës”, tha Shalsi.

Sipas ministrit, mazhoranca nuk ka asnjë përgjegjësi ndaj opozitës, kur kjo e fundit ka vendosur që të dezertojë nga përballja në zgjedhje.

“Nëse opozita vendosi të dezertonte në fushë betejë, nëse opozita do të dezertojë dhe nga përballja në zgjedhje, ç’përgjegjësi mund të ketë PS apo mazhoranca? Ne e kemi thënë, partnerët ndërkombëtarë po e përforcojnë, është veprim i papërgjegjshëm, por i kuptueshëm deri diku. Dukshëm opozita nuk ka një alternativë, dukshëm opozita nuk është e përgatitur për t’u përballur edhe me reformën në drejtësi.

Mesa duket janë disa rrethana që e kanë detyruar opozitën që të marrë këtë vendim që të gjithë aleatët madje tradicionalë të PD-së e kanë dënuar. Nuk kemi sot asnjë prononcim nga partitë simotra që të mbështesë këtë akt sa të papërgjegjshëm aq të kuptueshëm kur kemi parasysh faktin që nuk duan të përballen. Ne nuk besojmë se populli opozitar meriton që disa nga përfaqësuesit e saj të marrin një vendim që nuk i shërben vendit dhe më besoni që nuk i shërben as opozitës”, tha Shalsi./abcnews.al