Pak sekonda e ndanë Vllazninë nga fitorja kundër Teutës në Kupën e Shqipërisë. Ndeshja u mbyll në barazim 2-2 dhe Hysen Dedja, trajneri i ri i skuadrës shkodrane, foli për Supersport rreth ndeshjes, gjendjes së skuadrës dhe kualifikimit në çerekfinale.
“Në 45 minutat e para kishte një ndryshim, por jo pjesa e dytë. Jo për justifikim, pasi dihen problemet, por këtu te ne kanë ndikuar më tepër. Kanë qenë pak ditë. Kishte probleme edhe për një katër ditësh në lidhje me rrogat. Sa erdha këtu bisedova me kryetaren e Bashkisë dhe administratorin, dhe problemet janë zgjidhur.
Edhe në pjesën e dytë, ku nuk po luanim mirë, patëm mundësi të shkonim në rezultatin 3-1. Nesër do të bëj analizën dhe do të mbarojmë kapitullin e Kupës deri në sfidën e kthimit, për t’u përqendruar te Bylisi në kampionat. Kam besim prapë, do të shkojmë për kualifikim në Durrës.
E kam ndjekur skuadrën në televizor. E them me plot gojë që është një skuadër që ka brumë brenda, ka mundësi për të punuar. Tani janë ndeshjet e shpeshta, tani do të bëj vetëm menaxhim dhe shkrythje me ta, pasi asgjë me tepër nuk mund të përmirësoj“, deklaroi Dedja. /abcnews.al