Hysen Dedja është shfaqur shumë i mërzitur pas humbjes 3-0 kundër Tiranës në kryeqytet. Trajneri i Vllaznisë nuk i kursen kritikat për skuadrën e tij në prononcimin e dhënë për Supersport, aty ku premton se do të bëjë ndryshime, sidomos në portë.
HUMBJA – “Isha përgatitur ta prisja Tiranën në gjysmëfushe dhe ta zinim në befasi. Në momente të veçanta mund ta bënim përpara se të pësonim golin, por kemi mungesë përqendrimi dhe përgjegjësie”.
KRITIKAT – “Lojtarët janë mësuar të luajnë vetëm për interesat e tyre, pësuam shthurje. Atë që tentuam ne, e bëri Tirana, na zuri në befasi te goli i parë. Edhe goli i dytë ishte shumë banal. Aty mbaroi gjithçka. U mundova kur mbaroi pjesa e parë, kundërshtari ishte me një lojtar më pak, por nuk ndodhi asnjë farë reagimi dhe dëshire. Nuk përjashtoj veten, por lojtarët, edhe ata me përvojë, vetëm ecin në fushë”.
TAKTIKA – “Ne luanim 4-5-1 kur mbante topin Tirana. Mendova t’i bllokoj krahët e Tiranës, por ne kemi probleme shumë të mëdha. Nuk kam çfarë punoj më në këtë periudhë. Do të qetësohem, do e shoh ndeshjen sërish, por e kemi shumë të vështirë”.
PENALLTIA – “Shumë e habitshme që Jorgji nuk e akordoi këtë penallti, ishte shumë e habitshme”.
NDRYSHIMET – “Po t’i shikosh takimet pas pandemisë kemi pësuar shumë: goli në Vlorë, pesë gola pësuam në Laç, katër në Shkodër ndaj Teutës dhe Bylis, sot tre të tjerë. Do të ndërhyj në portë, do t’i iki këtyre lojtarëve që ecin nëpër fushë. Një ndër to do të jetë edhe portieri, do të ndërhyj aty”. /abcnews.al