Superiorja nuk njeh pushim dhe nesër luhen dy ndeshjet e para të javës së 30-të të kampionatit. Vllaznia udhëton drejt kryeqytetit për t’u përballur me Tiranën kryesuese (17:00), ndërsa në Vlorë përballen Flamurtari me Partizanin në të njëjtën orë.
Një sfidë e vështirë për djemtë e Hysen Dedjes, që do të ndeshen me një Tiranë të egërsuar pas humbjes në Durrës. Trajneri i kuqebluve, që luftojnë për të shmangur vendin e tetë që të dërgon në “play-out”, karikon djemtë e tij në konferencë për shtyp dhe shpreson të kthehet me pikë në Shkodër.
PËRGATITJET – “Gjatë këtyre dy ditëve jemi ndalur gjatë te gabimet e pjesës së dytë ndaj Teutës, po ashtu në ndeshjen me Bylisin. Jemi munduar t’i korrigjojmë. Nuk kemi pasur shumë kohë në dispozicion, kalendari është shumë i ngjeshur, por jemi munduar të bëjmë më të mirën”.
KARIKIMI – “Nesër do ta luajmë sfidën me idenë se përballë janë dy skuadra me fanella të rënda të futbollit shqiptar. Do të luajmë si të barabartë, edhe pse jemi në fushë kundërshtare. Siç kundërshtari vjen në Shkodër dhe merr pikë, të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe ne”.
TIRANA – “Jam optimist se do të luajmë si të barabartë nesër. Duke përjashtuar humbjen, çdo rezultat do ishte pozitiv për ne. Tirana vjen pas një humbje në Durrës dhe ata do të kërkojnë të rikthehen te fitorja, por duke ditur egon dhe duke pasur parasysh të gjitha, ne nuk i trembemi, por do të shkojmë me objektivin për të marrë pikë, ndonëse do kemi edhe mungesa në formacion”. /abcnews.al