Nevil Dede, pjesë e përhershme e emisionit Pressing në ABC, analizon javën e dytë të Kategorisë Superiore. Trajneri i Shqipërisë U19 flet rreth takimit Tirana-Teuta (0-1) dhe ndalet te oshilacionet që po tregojnë skuadrat shqiptare.
“Java ishte e logjikshme, pritej reagimi i Teutës dhe Partizanit. Laçi shpërdoroi, pasi Kastrioti luajti me dhjetë lojtarë për shumë minuta. Reagim i mirë edhe ai i Bylisit, që rikuperoi dy gola kundër Apolonisë. Nuk kishte dramë kjo javë. Nuk është rastësi fitorja e Teutës me Tiranën, e kanë bërë edhe më parë. Skënderbeu nuk më la shije të mirë, kam frikë se do të luajë më mirë jashtë se në fushën e vet. Do kenë probleme në Korçë.
Ndeshja e katërt që Teuta fiton ndaj Tiranës. Në këtë moment, Teuta mund të mundë çdo kundërshtar. Tirana është për t’u parë dhe për t’u pritur disa javë. Shoh që Tirana luan ngadalë dhe e fillon keq ndeshjen. Teuta ishte më mirë deri në minutën e 30-të.
Kukësi dhe Skënderbeu e nisin mirë në 30 minutat e para, por humbin ndeshjen. Oshilacione që nuk mund të pranohen në Superiore, ndodhin vetëm në kampionatin e 17-vjeçarëve. Çdo gjë do të marrë trajtë më të pastër në përfundimin e fazës së parë. Kampionati fitohet edhe me skuadrat e dobëta, jo vetëm kundër të fortëve“, deklaron Dede. /abcnews.al